Fejzi HAJDARI
Tanimë disa ditë me radhë në Kumanovë, në veçanti, por dhe përgjithësisht në rajonin e Karadakut, po mbretëron një situatë tensionuese, që të ngulitë në mbamendje pa dashur, pyetjen: Çfarë dhe pse po ndodhë në Kumanovë? Situata në shikim të parë duket spontane, por një analizë pak më e thellë krijon përshtypje sikur në prapavijë të gjitha këtyre aktiviteteve, qëndrojnë qarqe të caktuara qeveritare, të cilat të zëna para presionit të faktorit ndërkombëtarë lidhur me prokuroren speciale dhe zbatimin me çdo kusht të Marrëveshjes së Përzhinos, po kërkojnë alibi dhe shkas për ta zhvendosur vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, nga problemi kyç-real, tek problemet tjera. Në fakt, ky film i pushtetarëve, është shumë i lexueshëm dhe i tejdukshëm, sepse sa herë që kanë patur situata kur është dashur të vendoset për çështje kruciale dhe të rëndësishme për Maqedoninë, ata kanë inskenuar zhvillime të këtilla, edhe atë pikërisht në rajonet e banuara me shqiptarë. Pra, gjithmonë viktimë për zhvendosjen e vëmendjes së opinionit, kanë qenë pikërisht shqiptarët (në të shumtën e rasteve shqiptarët e Kumanovës). Sa për ilustrim, për një kohë të shkurtër në Kumanovë ndodhi incidenti i armatosur në Lagjen e Trimave, vrasja e Koamndant Shqiponjës, pastaj ndodhi një ngjarje interesante që s’e kap as fantazia e regjisorit më të madh – një person (gjoja i dehur) për një periudhë të shkurtër kohor në disa lokacione të qytetit të Kumanovës, madje-madje shumë afër policisë, dogji 14 vetura, dhe së fundmi, aksioni i djeshëm policor, me ç’rast u arrestuan disa persona në mesin e tyre edhe ish-ushtarë të UÇK-së.
Por, pse pikërisht në Kumanovë?
Pushteti të gjitha këto nuk i bënë rastësisht, sepse e din se si reagon popullata në këtë rajon, e cila edhe në të kaluarën ka qenë pre e eksperimenteve të ndryshme të regjimit komunist…. Me Kumanovën dhe rajonin përreth, vazhduan tërzbatohen eksperimente edhe gjatë aplikimit të sistemit shumëpartiak. Për të vazhduar ky avaz, pra i paraqitjes së Kumanovës si poligon, ku do të bëheshin eksperimentet më të mëdha ndaj shqiptarëve, qarqet antishqiptare janë kujdesur në mënyrë të veçantë, sidomos pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Këto eksperimente nuk do të realizoheshin pa u zgjedhur kuadro dhe njerëz, që nuk mund të menaxhojnë situata të tilla dhe të cilët janë të gatshëm që për një interes të vogël, të vihen kryekëput në shërbim të “organit”, që me fjalë të tjera domethënë në shërbim të projekteve antishqiptare. Kjo situatë e vështirë për shqiptarët me vite e krijuar në Kumanovë dhe rrethinë, të shtynë të mendosh më thellë se pse në Kumanovën, këto 10-15 vitet e fundit, kanë zgjedhur për funksionarë pikërisht njerëz me të kaluar të dyshimtë familjare dhe individuale, si dhe individë të instrumentalizuar skajshëm nga pushtetit, nëpërmjet aferave të kurdisura dhe nënshtrim të tyre. Dhe kjo ndodhë jorastësisht, sepse pikërisht nëpërmjet këtyre funksionarëve të dyshimtë, të cilët nuk kanë patur kurrfarë ndikimi tek popullata, rrjedhimisht edhe në qeverisje, janë realizuar projekte për deshqiptarizimin e shqiptarëve, si dhe shqiptarët pothuajse tërësisht janë margjinalizuar, si nga pushteti qendror, poashtu edhe nga ai lokal. Shikoni sot se cili është ndikimi i shqiptarëve në nivel komune! Të mos flasim fare për pushtetin qendror, sepse në qeveri, Kumanovarët absolutisht nuk kanë kurrfarë ndikimi. Me decentralizimin e vitit 2005 shqiptarët e Kumanovës u fragmentarizuan me ndarjen e komunës së Likovës, me çka përqindja e tyre nga mbi 40%, zbriti në 26%. Po të kishte qenë sot Kumanova me Likovën bashkë, kryetari i komunës do të kishte qenë shqiptar! Por, kush kontribuoi me ngulm për ndarjen e Likovës nga Kumanova, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e atyre që agjituan dhe u angazhuan për ta ndarë komunën e Kumanovës nga Likova. Shikuar nga aspekti gjeostrategjik, Kumanova është ndoshta Porta e vetme, nëpërmjet të cilës shtetet e shumta rë rajonit, kalojnë rrugëtimin e tyre drejtë Evropës. Por Kumanova është edhe pika e vetme (udhëhkryqi i vetëm) ku puqen dy korridoret më strategjike në Evropën Juglindore – Korridori Durrës-Burgaz (Bullgari), si dhe Korridori Zagreb-Beograd-Athinë, respektivisht Budapest -Beograd-Athinë. Dhe pikërisht, ndoshta kjo është arsyeja e vetme, që është rritur aq shumë dhëmbi i diskriminimit të shqiptarëve në këtë rajon, për t’i dëbuar në mënyrë të sofistikuar drejt shteteve evropiane. Në fakt, një strategji e tillë po realizohet m sukses tanimë një dekadë e ca, por ka marrë hov pas vitit 2001. Dhe tani shtrohet pyetja logjike: Pse Kumanova po bëhet viktimë gjithnjë duke patur partinë shqiptare në pushtet? Mendoni se këtë strategji të sofistikuar nuk e dinë dhe shohin politikanët tanë? Edhe më keq, nëse e shohin dhe dinë, atëherë pse lejojnë që në heshtje Kumanovës t’i përsëritet manastirizimi? Zoti na ruajt, por jo dhe politikanët, sepse këta të fundit që moti kanë dështuar dhe janë tjetërsuar.