Pas reagimeve të Sofjes zyrtare për shkak të ndalimit të hyrjes në Maqedoninë e Veriut të eurodeputetit bullgar, Andrej Kovaçev, kryetarit të Fondacionit “Bugarska Memorija”, Milen Vrabeskit, si dhe tre shtetasve të tjerë bullgarë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme nëse Shkupi ka një listë të shtetasve bullgarë të cilëve u ndalohet hyrja në këtë shtet.
Kjo ministri nuk i është përgjigjur direkt pyetjes së REL-it, por ka thënë se “në bazë të Ligjit për të huajt, refuzimi i hyrjes është kompetencë ekskluzive MBB-së”, ndërsa caktimi i masës “ndalimi i hyrjes” mund të shqiptohet nga ministria, gjykata kompetente ose organe të tjera brenda kompetencat e tyre ligjore.
“Punonjësit policorë çdo ditë kryejnë kontrolle në vendkalimet kufitare të personave – shtetas të huaj – të cilët hyjnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht kontrollojnë nëse ata i plotësojnë kushtet për hyrje…”, thuhet në përgjigje.
Kur është pyetur për arsyen e ndalesës së hyrjes për Kovaçevin dhe katër të tjerët, MPB tha se kjo ndodhë “nëse një i huaj nuk i plotëson kushtet” e përcaktuara me ligj për të hyrë në territorin maqedonas.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bullgarisë, Ivan Kondov, tha të mërkurën se veprimi i autoriteteve maqedonase nuk është në përputhje me parimet dhe normat evropiane, të cilat autoritet maqedonase janë të obliguara t’i respektojnë.
“Në njoftimin drejtuar shtetasve tanë nga ana e autoriteteve kufitare maqedonase, në mënyrë eksplicite, është theksuar ata ndodhen në listën e personave që u ndalohet hyrja në Maqedoninë e Veriut”, tha shefi i diplomacisë bullgare.
Gjithashtu, më 10 maj, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e ka thirrur në bisedime ambasadoren Maqedonisë së Veriut në Sofje, Agnesa Rusi Popovska.
“Nga pala bullgare u konstatua se është e papranueshme përpilimi i listave të ndalimit për qytetarët e një shteti anëtar të BE-së. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë pret që të informohet për kriteret sipas të cilave në lista të tilla përfshihen shtetasit bullgarë dhe deputetët evropianë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Bullgarisë.
“Në grupin me të cilin udhëtonte Andrej Kovaçev ka pasur persona për të cilët MPB-ja ka dijeni se paraqesin rrezik për paqen dhe sigurinë publike. Në mesin e tyre nuk është eurodeputeti Kovaçev, por shërbimet kompetente kanë marrë një vendim të tillë për shkak të grupit me të cilin ai udhëtonte”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u përkeqësuan në vitin 2019, pasi Sofja bllokoi integrimit evropian të Shkupit si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve për të kaluarën historike, si dhe çështjen e gjuhës dhe identitetit maqedonas.