03 May
Komiteti Qendror i VMRO-DPMNE-së në mbledhjen e fundit ka sjellë disa konkluzione mes të cilave duket se partia e Gruevskit ka pranuar humbjen dhe ka vendosur që të vazhdojë me ritmin e njëjtë në opozitë. Mes tjerash u vendos që grupi parlamentar i kësaj partie nuk do të bojkotoi Kuvendin kurse anëtarësisë t’i sqarohet situata e re dhe të këshillohet të mos bëjë probleme që do t’i sillnin dëm plotësues partisë.
Kreu i kësaj partie Nikolla Gruevski në një status në rrjetet sociale e quan akt diktature mënyrën e zgjedhjes së Talat Xhaferit, kryetar të Kuvendit. “Talat Xhaferi hyri në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit me shkelje brutale të Kushtetutës, ligjeve dhe Rregullores. Gjithçka që në të ardhmen do të sillej me pjesëmarrjen, nënshkrimin ose çfarëdo aktiviteti të tij do të jetë fruti i një druri të helmuar, ftuar i një akti diktatorial për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit”, thuhet në postimin e kreut të VMRO-DPMNE-së. Nga LSDM-ja kundërshtojnë pretendimet e Gruevskit duke thënë se koha e diktaturës në Maqedoni përfundoi më 11 dhjetor kurse vendi shkon drejtë zbatimit të proceseve demokratike.