Rilindje me BESË sonte u takua me banorët të Strugës dhe Ohrit, ku para banorëve të kësaj ane shpalosën platformën dhe programin zgjedhor, me çka u përkrah fuqishëm platfoma “Ridefinimi”. Bartësi i listës zgjedhore në njësinë e pestë i Rilindjes me BESË, Arben Labënishti, u bëri thirrje banorëve të Strugës dhe Ohrit që të mos votojnë për, siç tha ai, të keqen kolektive të shqiptarëve, BDI-në, por të dalin masovikisht në votime dhe ta dënojnë këtë subjekt politik. Para të pranishmëve kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, njëherit bartës i listës zgjedhore për njësinë e gjashtë zgjedhore, deklaroi se shqiptarët nuk janë më të detyruar të zgjedhin të keqen më të vogël mes dy të këqijave. Ai u shpreh i bindur se shqiptarët tashmë e dinë se cili është opsioni më i mirë për të ardhmen e tyre.
“Derisa në të kaluarën ishim të detyruar të zgjedhin mes dy të këqijave më pak të keqen, sot ne kemi mundësi të zgjedhim mes të keqes dhe të mirës. Andaj unë jam shumë i bindur se shqiptarët tashmë e kanë të qartë se në cilën anë duhet të jenë dhe cili është shtegu i shtetit të ri e të ridefinuar, i mirëqenies ekonomike, i arsimit më të mirë, i shëndetësisë cilësore dhe i mjedisit të shëndoshë jetësor!”, deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.