Stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës i është drejtuar me mendime dhe sugjerime Byrosë për Zhvillimin e Arsimit në Shkup, lidhur me Draft-Koncepcionin për reforma në arsimin e mesëm (niveli i gjimnazit), të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit.
Duke vlerësuar rëndësinë e reformës dhe përpjekjet për modernizimin e arsimit të mesëm,
veçanërisht në drejtim të zhvillimit të kompetencave kyçe, përmirësimit të kurrikulave, zbatimit të metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare, stafi akademik shpreh mbështetjen e tij për ndryshime thelbësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor.
Megjithatë, Fakulteti Pedagogjik shpreh mospajtim profesional lidhur me mospërfshirjen e lëndës së Pedagogjisë në planin e ri mësimor, as si lëndë obligative dhe as si lëndë zgjedhore, ndonëse në programin e mëparshëm ajo ka qenë e përfaqësuar si lëndë zgjedhore.
Në planin e ri mësimor janë paraparë si lëndë zgjedhore dyvjeçare Psikologjia, Logjika dhe Etika, të cilat i përkasin fushës së shkencave humane dhe shoqërore. Sipas stafit akademik, është e pajustifikueshme që Pedagogjia, si një nga shtyllat themelore të shkencave të edukimit dhe e lidhur drejtpërdrejt me qëllimet dhe kompetencat e parashikuara në Konceptin e ri, të mos jetë pjesë e këtij plani.
Mendim dhe sugjerime
nga Fakulteti Pedagogjik, programi studimor Pedagogji në lidhje me draft konceptin për reforma në arsimin e mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit)
Duke u mbështetur në rëndësinë e arsimit të mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit) për zhvillimin e sistemit arsimor dhe në shpalljen publike për paraqitjen e mendimeve, sugjerimeve dhevërejtjeve lidhur me Draft-Koncepcionin për reformat në arsimin e mesëm-gjimnazor të përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillimin e Arsimit, stafi akademik i Programit studimor Pedagogji pranë Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës paraqet këtë
Mendim dhe sugjerim
Duke vështruar me kujdes Draft-Koncepcionin e propozuar për reformat në arsimin e
mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit) përkatësisht vështrimet mbi kurrikulat, programet lëndore, metodat e mësimdhënies, sistemin e vlerësimit, zhvillimin e nxënësve, avancimin e stafit mësimdhënës dhe përforcimin e personelit profesional në harmoni me ndryshimet shoqërore njëkohësisht edhe sipas standardeve ndërkombëtare gjithsesi mbështesim përpjekjet për ndryshime thelbësore dhe gjithpërfshirëse ndërkaq shprehim mospajtim lidhur me mospërfshirjen e lëndës së Pedagogjisë në planin mësimor.
Pas shqyrtimit të Draft-Koncepcionit për reformat në arsimin e mesëm të përgjithshëm
(niveli i gjimnazit), mbështesim përpjekjet për modernizimin e arsimit të mesëm, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të kompetencave kyçe të nxënësve, përmirësimit të kurrikulave, zbatimit të metodave bashkëkohore të mësimdhënies dhe përafrimit me standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, shprehim mospajtim profesional lidhur me faktin që lënda e Pedagogjisë nuk është paraparë as si lëndë obligative dhe as si lëndë zgjedhore në planin e ri mësimor, ndonëse në programin e mëparshëm ajo ka qenë e përfaqësuar si lëndë zgjedhore.
Në planin e ri mësimor janë përfshirë si lëndë zgjedhore dyvjeçare Psikologjia , Logjika dhe Etika, të cilat i përkasin fushës së shkencave humane dhe shoqërore. Megjithatë, konsiderojmë se është e pajustifikueshme mospërfshirja e Pedagogjisë, e cila së bashku me Psikologjinë përbën bazën e shkencave të edukimit dhe është drejtpërdrejt e lidhur me qëllimet dhe kompetencat e përcaktuara në Konceptin e ri.
Arsyetim
Qëllimet e arsimit të mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit) të përcaktuara në Draft-
Koncepcion përfshijnë zhvillimin e mendimit kritik, aftësive kërkimore, kompetencave
komunikuese, zhvillimin personal, përgjegjësinë sociale dhe përgatitjen për qytetari aktive. Po ashtu, në Kornizën Kombëtare të Kompetencave theksohet rëndësia e zhvillimit të kompetencave metakognitive, kompetencave personale dhe sociale, si dhe kompetencave për të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Këto kompetenca lidhen drejtpërdrejt me përmbajtjet dhe objektivat e lëndës së Pedagogjisë, e cila:
Ndihmon nxënësit të kuptojnë procesin e të nxënit dhe strategjitë efektive të të mësuarit;
Thvillon kompetencën “të mësuarit për të mësuar” dhe aftësitë metakognitive;
Kontribuon në zhvillimin e aftësive sociale dhe komunikuese;
Ndihmon në ndërtimin e vetëbesimit dhe përgjegjësisë personale;
Forcon vetëdijen për rolin e arsimit në shoqëri;
Zhvillon aftësi për bashkëpunim, dialog dhe zgjidhje konfliktesh;
Ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha nxënës–mësimdhënës dhe
nxënës–nxënës;
Mbështet zhvillimin e kulturës inkluzive në shkollë, etj
Në Kornizën e Kompetencave theksohen veçanërisht kompetencat që lidhen me vendosjen e qëllimeve për të nxënit, vetëvlerësimin, reflektimin dhe zhvillimin personal të nxënësve, të cilat janë objekt i drejtpërdrejtë i studimit në Pedagogji. Për këtë arsye, mospërfshirja e kësaj lënde krijon një zbrazëti konceptuale në realizimin e kompetencave që parashihen në reformën e propozuar.
Rëndësia e Pedagogjisë në arsimin e mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit)
Pedagogjia nuk është vetëm një disiplinë teorike, por një fushë që ndihmon nxënësit të kuptojnë:
si zhvillohet procesi i të nxënit;
si organizohet puna mësimore;
si ndërtohen marrëdhëniet edukative;
si zhvillohen aftësitë sociale dhe qytetare;
si ndërtohet kultura demokratike në shkollë.
Në një kohë kur sistemi arsimor synon të vendosë nxënësin në qendër të procesit mësimor dhe të zhvillojë kompetenca për të nxënit gjatë gjithë jetës, është e vështirë të arsyetohet përjashtimi i një lënde që merret pikërisht me këto procese.
Sugjerime dhe propozime
Largimi i Pedagogjisë si lëndë kufizon qasjen e nxënësve në një fushë kyçe të shkencave të
edukimit. Zvogëlon mundësitë për të kuptuar raportet mes mësimdhënësit dhe nxësit , menaxhimin e klasës dhe metodologjitë e mësimdhënies. Duke marrë parasysh qëllimet e reformës dhe strukturën e planit të ri mësimor, propozojmë:
1. Rivendosjen e Pedagogjisë si lëndë obligative, ose
2. Përfshirjen e Pedagogjisë si lëndë zgjedhore dyvjeçare (III–IV) në grupin e lëndëve
zgjedhore ku aktualisht përfshihen Psikologjia ,Logjika dhe Etika.
Në këtë mënyrë do të krijohej një program më i balancuar i shkencave humane dhe edukative që mbulon:
Zhvillimin psikologjik të individit (Psikologjia),
Aspektet logjike dhe etike (Logjika dhe Etika),
Proceset e të nxënit dhe edukimit (Pedagogjia).
3. Nëse nuk ekziston mundësia për përfshirjen e saj si lëndë zgjedhore dyvjeçare, propozojmë që Pedagogjia të përfshihet të paktën si lëndë e lirë zgjedhore formë punëtorish ose projektesh që lidhen me:
strategjitë e të nxënit;
zhvillimin personal;
komunikimin dhe bashkëpunimin;
menaxhimin e konflikteve;
kulturën inkluzive në shkollë.
Duke respektuar rëndësinë e të gjitha disiplinave të tjera shkencore dhe strukturën e konceptit të ri, konsiderojmë se përfshirja e Pedagogjisë do të kontribuonte në realizimin më të plotë të qëllimeve të reformës dhe në zhvillimin e kompetencave kyçe të nxënësve.
Stafi akademik i Fakultetit Pedagogjik të Universitetit të Tetovës shpreh gatishmërinë për
bashkëpunim profesional në hartimin e programeve mësimore, materialeve didaktike dhe
aktiviteteve edukative me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimin e mesëm të përgjithshëm (niveli i gjimnazit).
Prof.dr Lulzim Mehmedi-Dekan i Fakultetit Pedagogjik
Prof dr. Besa Havziu-Ismaili – Prodekane për arsim
Prof.dr Ardita Ceka – Shefe e programit studimor Pedagogji profesionale
Doc. Dr Arbresha Zenku Dalipi -Shefe e progamit studimor Mësim klasor
Doc.dr Gëzim Xhambazi – Shef i programit studimor Edukim parashkollor
Prof.dr Rabije Murati
Prof.dr Svetllana Pandillovska
Prof.dr Makfirete Ameti
Prof. dr Besa Dogani
Prof.dr Valentina Pajaziti
Prof.dr Valdeta Zenuni-Idrizi
Prof.dr. Jehona Rushiti-Rexhepi
Doc.dr Afërdita Ilazi-Hoxha
Doc.dr Agron Iljazi
Tetovë, 24.02.2026
Prof.dr. Lulzim Mehmedi
Dekan i Fakultetit Pedagogjik


