Në një intervistë për emisionin “360 gradë” në MRT1, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, deklaroi se zgjedhja për mbajtjen e kongresit të parë të VLEN-it më 9 maj – Dita e Evropës, nuk është e rastësishme, por ka një simbolikë të qartë politike dhe vlerash, pasi, siç tha ai, VLEN e ndërton narrativën e saj si evropiane dhe ata janë politikanë pro-evropianë.
Aliu njëkohësisht shprehu optimizëm se në një periudhë shumë të shkurtër do të shihen rezultatet e para lidhur me procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, ministrat përkatës punojnë çdo ditë në këtë agjendë, ndërsa një herë në javë mbahen takime koordinuese për të parë se ku ndodhet Maqedonia në përmbushjen e detyrimeve evropiane.
Ai theksoi se, pavarësisht bllokadave politike, shteti në procedurat administrative dhe legjislative është në thelb i harmonizuar me kornizën evropiane, duke theksuar se vetëm Levica del publikisht me qëndrim kundër Evropës.


