Inflacioni i matur përmes indeksit të shpenzimeve të jetesës në janar të vitit 2026, në krahasim me dhjetorin e vitit 2025, arrin 0,7 për qind, publikoi sot Enti Shtetëror i Statistikës të RMV-së.
Indeksi i shpenzimeve të jetesës në janar të vitit 2026, në krahasim me janarin e vitit 2025, shënon rritje prej 3,2 për qind.
Çmimet me pakicë në janar të këtij viti, në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar, janë ulur për 2,7 për qind, ndërsa në krahasim me janarin e vitit të kaluar për 1,2 për qind.
Ulja e inflacionit në janar të vitit 2026, në krahasim me dhjetorin e vitit 2025, është rezultat i uljes së shpenzimeve të jetesës në grupet në vijim: Transport për 9,3 për qind, Informata dhe komunikime për 1,6 për qind, Rekreim, sport dhe kulturë për 1,5 për qind, Veshëmbathje dhe atlete për 1,2 për qind, Kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra dhe shërbime të ndryshme për 0,5 për qind.
Në janar të vitit 2026, në krahasim me dhjetorin e vitit 2025, rritje e shpenzimeve për jetë është shënuar te grupet: Mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e rregullt e amvisërive, banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante tjera për 1 për qind, Restorante dhe shërbime për banim për 0,7 për qind, Shërbime për arsim, Pije alkoolike, duhan dhe narkotikë për 0,1 për qind.
Shpenzimet e jetesës në grupet sigurim dhe shërbime financiare, mbrojtje shëndetësore dhe ushqim dhe pije joalkoolike mbesin në nivel të njëjtë si në muajin paraprak.
ESHR sqaron se për shkak të hyrjes në fuqi të rregulloreve të BE-së që zbatohen drejtpërdrejt dhe në përputhje me rekomandimet e Eurostat-it, nga janari 2026 Indeksi i çmimeve të konsumit dhe Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit janë strukturuar sipas klasifikimit të ri evropian të konsumit personal sipas qëllimit, ECOICOP versioni 2, i përafruar me klasifikimin e Kombeve të Bashkuara UN COICOP 2018, pa ndryshuar qasjen metodologjike për llogaritjen e indekseve.


