Një ngjarje e rëndë dhe tejet tronditëse ka goditur vendin. Policia ka zbardhur vrasjen brutale të një gruaje nga Zdunja, e cila u rrëmbye me forcë dhe më pas u gjet e djegur në afërsi të fshatit Çegran. Dy persona janë vënë nën hetim, ndërsa njëra prej tyre ka pranuar përfshirjen në krim.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se ka zbardhur plotësisht rastin e vrasjes së një gruaje nga fshati Zdunje, e cila u rrëmbye, u privua nga jeta dhe më pas u dogj në territorin e fshatit Çegran.
Rasti u raportua më 11 dhjetor, kur J. M. nga Zdunje informoi policinë se xhaxhai i tij i kishte treguar video-incizime ku shihej një person i panjohur duke e futur me forcë nënën e tij, H. A., në një automjet të tipit “Fiat”. Pas rrëmbimit, gruaja nuk ishte më e qasshme në telefonin e saj celular.
Policia reagoi menjëherë dhe thirri disa persona për bisedë informative. Gjatë procedurës, bashkëshortja e një prej të dyshuarve pranoi se ajo dhe burri i saj, S. A., e kishin privuar nga jeta gruan. Sipas deklarimit të saj, pas vrasjes, trupi i viktimës ishte djegur në afërsi të Çegranit.
Nga MPB njoftojnë se rasti është dokumentuar tërësisht, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të krimit.(INA)


