Misioni i OSBE në Kosovë, ka reaguar pasi KQZ-ja nuk certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
OSBE ka shprehur zhgënjim dhe shqetësim të thellë për këtë vendim të disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ.
Në njoftim thuhet se “misioni dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje”.
Më poshtë komunikata e plotë:
DEKLARATA E MISIONIT TË OSBE-së NË KOSOVË
Misioni i OSBE-së në Kosovë shpreh zhgënjimin e fortë – dhe shqetësimin e thellë – me vendimin e disa përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar ose abstenuar nga miratimi i kërkesës për akreditim të Listës Serbe për përfshirje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Misioni dënon veprimet që cenojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje. Veprime të tilla paraqesin një largim të qartë nga standardet elektorale të pranuara ndërkombëtarisht.
Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen votuese që duket e nxitur nga interesa partiake dhe jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve.
Këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht në vend që të udhëhiqen nga drejtësia, gjithëpërfshirja dhe transparenca.
Misioni i OSBE-së i kërkon KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë që të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht sipas praktikave më të mira ndërkombëtare


