Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten thellësisht të përkushtuara ndaj mbështetjes së popullit të Kosovës dhe rrugëtimit të saj drejt integrimit euroatlantik.
Megjithatë, veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë të kryeministrit Albin Kurti kanë shkaktuar shqetësime serioze në Uashington.
Hovenier, i pyetur për masat që mund të ndërmarrë SHBA-ja për të shtuar presionin ndaj Qeverisë Kurti, nuk dha një listë konkrete veprimesh. Ai e përshkroi situatën si një sfidë të vështirë për administratën amerikane, e cila duhet të balancojë prioritete të ndryshme.
“Nuk e di përgjigjen për këtë,” tha ai, duke theksuar se prioritetet shpesh bien në kundërshtim me njëra-tjetrën. Një nga prioritetet kryesore mbetet ruajtja e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe të sigurt, ku respektohen të drejtat e komuniteteve joshumicë.
Hovenier theksoi se mënyra më e mirë për të trajtuar çështjen delikate të mbështetjes së integrimit të Kosovës është duke respektuar të drejtat dhe statusin e komuniteteve joshumicë. Kjo është thelbësore për të siguruar kushte dinjiteti dhe sigurie për të gjithë qytetarët.
Edhe pse tensionet me qeverinë aktuale janë të dukshme, Hovenier siguroi se SHBA-ja nuk ka lëkundur mbështetjen e saj për popullin e Kosovës. Ai theksoi se angazhimi amerikan për Kosovën është i qartë dhe i vazhdueshëm.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan e mbështesin Kosovën,” tha ai. “Këtë e shihni në shumë forma: programet, aktivitetet dhe angazhimet që kemi me popullin e Kosovës.”
Duke përmendur rolin e SHBA-së në ndërtimin e institucioneve arsimore në Kosovë, Hovenier theksoi se dëshira për të mbetur partneri më i ngushtë i vendit është e fortë, por kjo kërkon bashkëpunim dhe respektim të parimeve demokratike.
Hovenier përfundoi duke kujtuar se kritikat ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti nuk janë të reja. Ai theksoi se shqetësimet kanë ardhur nga administrata e ish-presidentit Biden dhe tani nga administrata e Trumpit, duke e bërë të qartë se situata është komplekse dhe kërkon një qasje të kujdesshme.