Ish-kryeministri Avdullah Hoti, nënshkruesi i Marrëveshjes së Washingtonit, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka gjetur fjalë të mira për këtë marrëveshje pas kthimit të presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Hoti e quajti këtë veprim hipokrizi, duke theksuar se Kurti për vite me radhë ka akuzuar dhe shpifur ndaj qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit.
“Pas gjithë këtyre viteve propagandë, akuzave të pabaza dhe shpifjeve, sot ai hapur pranon vlerat e kësaj marrëveshjeje. Në një intervistë për gazetën spanjolle El Mundo, Kurti e quan këtë marrëveshje një nismë që promovon stabilitetin për Kosovën. Çfarë hipokrizie! Ai që ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi sulmet e pamëshirshme ndaj kësaj marrëveshjeje, sot e pranon rëndësinë e saj,” tha Hoti.
Ai u shpreh se ky është një rast i pastër i mashtrimit politik nga ana e një lideri që për vite ka manipuluar qytetarët e Kosovës për përfitime të ngushta personale.
“Moszbatimi i Marrëveshjes së Washingtonit ka shkaktuar dëm të pallogaritshëm për Kosovën,” shtoi ai. “Kjo marrëveshje është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit tonë.”
Hoti argumentoi se dëmi nga moszbatimi i kësaj marrëveshjeje është i dukshëm, duke përmendur humbjet ekonomike dhe dëmtimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë. Ai theksoi se Kosova ka humbur kohë shumë të rëndësishme dhe besueshmërinë ndërkombëtare.
“Kjo është ajo që ndodh kur arroganca dhe mungesa e përgjegjësisë i zënë vendin diplomacisë së matur. Diplomacia nuk është për të kënaqur egon personale, por për të mbrojtur dhe avancuar interesat e shtetit,” shpjegoi Hoti.
Ai gjithashtu kritikoi Kurtin dhe qeverinë e tij për dështimin e tyre historik lidhur me Marrëveshjen e Washingtonit, duke thënë se tani, kur dëmi është bërë, ata po përpiqen të justifikohen. “Por qytetarët e Kosovës nuk mashtrohen më nga fjalët e tij boshe,” përfundoi Hoti.