Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësim të thellë pas bojkotit të shumicës parlamentare, përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, në tri seanca të jashtëzakonshme të thirrura nga opozita.
Këto seanca ishin thirrur për të diskutuar tema me interes të lartë publik, si komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Milan Radoiçiq, mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Kosovës dhe përllogaritjen e borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Sipas IKD-së, “bojkoti përbën një shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet të Kuvendit të Kosovës dhe si partia më e madhe parlamentare”.
Instituti thekson se kjo qasje dëmton rëndë vlerat demokratike të Republikës së Kosovës dhe cenon procesin demokratik të qeverisjes.