Jeton Mehmeti, kryetar i Komisionit të Pavarur të Mediave është zgjedhur zëvendëspresident i Rrjetit të Rregullatorëve të Shteteve të Mesdheut (MNRA), në Asamblenë Plenare të 23-të të mbajtur në Jerevan të Armenisë.
Në njoftimin për media thuhet se ky rrjet, që përbëhet nga 27 anëtarë, ka për qëllim shkëmbim e njohurive dhe përvojave mes shteteve anëtare për çështje që kanë të bëjnë me rregullimin e mediave.
Sipas rregullave të këtij rrjeti, Kosova do të jetë nikoqir i Asamblesë Plenare në vitin 2025, me ç’rast edhe merr me automatizëm Presidencën e MNRA-së.
Në fjalën e tij Kryetari Mehmeti i falënderoi shtetet anëtare për besimin e dhënë.
“Viti 2025 shënon 20 vjetorin e themelimit të Komisionit të Pavarur të Mediave. Do të jetë nder për ne që krahas organizimit të Asamblesë Plenare të ju tregojmë edhe zhvillimin e KPM-së nga një entitet i administruar nga UNMIK me emrin Komisioni i Përkohshëm i Mediave në një rregullator të pavarur të mediave”, tha ai.
Tutje në njoftim thuhet se temë kryesore në punimet e asamblesë në Yerevan janë parimet e Unesco-së mbi administrimin e platformave digjitale si dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
MNRA është themeluar në vitin 1997 me iniciativë të Francës dhe Spanjës. Në mesin e shteteve tjera anëtare janë Greqia, Qipro, Izraeli, Malta, Maroku, Turqia, Shqipëria dhe shtetet tjera të rajonit. /Telegrafi/