Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Pragë të Republikës Çeke për të marrë pjesë në forumin global të sigurisë, GLOBSEC 2024.
Osmani e pyetur për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së tha se për popullin dhe shtetin e Kosovës marrëdhëniet me SHBA-të janë më të rëndësishmet dhe ekzistenciale.
Ajo tha në kohët më të errëta të Kosovës ishin SHBA-të që udhëhoqën botën demokratike për ta shpëtuar popullin e Kosovës.
“Ky ishte themeli i marrëdhënieve që kemi ndërtuar në 25 vitet e fundit”, tha Osmani, gjersa shtoi se raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së datojnë shumë më herët.
Ajo tutje shtoi se 97 për qind e qytetarëve të Kosovës i shohin SHBA-të si aleatin kryesor.
Presidentja tha se kohë pas kohe mund të ketë deklarata të mospajtimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve SHBA-së për qasjen, por kurrë në qëllimin përfundimtar.
Ajo tha se SHBA dhe Kosova nuk ka mospajtime në çështjen e sovranitetit, pavarësisë, prosperitetit.
Duke folur për procesin integrues, presidentja tha se Kosova është ndër vendet më pro integrimit evropian.
E para e shtetit shtoi se Kosova ka Kushtetutën më të avancuar jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. /Telegrafi/