Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka përsëritur thirrjet për pranimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE) sa më shpejt që të jetë e mundur.
Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë të hënën, Scholz tha se “Është shumë e qartë se 20 vjet pasi këtyre vendeve iu premtua pranimi, kjo duhet të ndodhë shumë shpejt”.
Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.
Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.
Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnjë e Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi (MSA) me BE-në. Gjatë samitit të Procesit të Berlinit, pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.
Procesi i Berlinit është një nismë e ish-kancelares Angela Merkel të Gjermanisë në vitin 2014, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në përafrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Kjo nismë shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.