Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka njoftuar se Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si Lia e majmunëve. Pacienti është një 30-vjeçar dhe gjendja e tij është stabile, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Ky rast u konfirmua pasi i riu ishte kthyer nga një shtet i Afrikës Perëndimore dhe për shkak të simptomave të shfaqura, është trajtuar në Klinikën Infektive më 24 dhjetor.
Pas dyshimeve të ngritura, IKSHPK bëri të ditur se i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.
“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje. Pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.“
IKSHPK ka kërkuar kujdes nga qytetarët, “sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht.”
“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.”
Lia e majmunëve është zbuluar për herë të parë në majmunë, në vitin 1958, në Afrikë. Rasti i parë në njeri është regjistruar në vitin 1970 në Republikën Demokratike të Kongos. Kjo sëmundje, e cila zakonisht kalon nga kafshët në njerëz, shpesh ndodhi për shkak të kontaktit të ngushtë me kafshë të infektuara.
Raportet e fundit sugjerojnë se numri i rasteve të Mpox ka filluar të rritet në mbarë botën, duke përfshirë disa vende të Evropës dhe Amerikës. IKSHPK thekson rëndësinë e mbajtjes së një stili të jetesës të shëndetshëm dhe respektimin e rregullave të higjienës për të parandaluar përhapjen e infeksioneve.
Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë që individët që udhëtojnë në zona të prekura nga Mpox të tregojnë kujdes të veçantë dhe të konsultohen me profesionistë të shëndetit nëse shfaqin ndonjë simptomë të dyshimtë pas kthimit në atdhe.
Përvoja e kaluar me sëmundje si Mpox tregon se ndërhyrjet e shpejta dhe edukimi i popullsisë janë të rëndësishme për kontrollin e mjedisit dhe frenimin e përhapjes së infeksioneve. Prandaj, është esencial që ata që ndihen të rrezikuar të bien në kontakt me shërbimet shëndetësore menjëherë.