Për disa ditë me radhë, Kumanova kryeson me numrin më të madh të të infektuarve me Covid-19, në ditë. Për 24 orët e fundit në këtë qytet, janë regjistruar 11 raste të reja, kurse gjithsej në nivel të shtetit 26 raste. Me këtë numri total i personave të prekur me koronavirus ka shkuar në 854. Po ashtu për një ditë janë shtuar edhe 4 viktima, 2 në Shkup, 1 në Veles dhe 1 në Prilep, me çka numri i të vdekurve në vend ka arritur në 38. Ndërkaq, janë shëruar 3 pacientë nga Shtipi, të cilët përshkak të formës më të lehtë të sëmundjes janë kuruar në kushte shtëpiake.
Përshkak të ankesave të shumta për pritje të gjata të rezultateve të testimeve për virusin Covid-19, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, njoftoi se do të vihen në funksion edhe dy laboratorë tjera.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Gjatë javës do të vihen në funksion dy laboratorë shtesë, në ASHAM dhe tek laboratori në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Me këtë numri i testimeve gjatë ditës po zmadhohet nga 50 në 100, me çka do të eliminohet pritja e gjatë e rezultateve, të cilat po ndodhin në raste të caktuara përshkak të numrit të madh të briseve që arrijnë në laboratorin e Institutit për Shëndet Publik”.
Kurse sa i përket masave të vendosura për mbrojtje nga shpërndarja e virusit, ministri deklaroi se për momentin nuk janë duke menduar për zvogëlimin e tyre.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Ne për momentin nuk mendojmë për zvogëlim të restrikcioneve, pra nuk mendojmë që ato të ndodhin tani shpejtë, po mendojmë se si dhe po punojmë për këtë, do të organizohet jeta pas heqjes së këtyre masave restriktive, sepse sigurisht që nuk do të mund të kthehet gjithçka në normalitet. Në këtë drejtim, disa herë kemi përmendur se ekip nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, këto ditë do të fillojnë të punojnë me përfaqësuesit e Odave Ekonomike”.
Ndërkaq, tani kur po pritet piku i numrit të të infektuarve, Ministria e Informatikës, prezantoi aplikacion për telefon, për siç thanë jep informata se me cilët persona ka qenë në kontakt personi i infektuar.
Aplikacioni “Stop Korona”, deklaroi ministri Damjan Mançevski mbron të dhënat e përdorueseve, nuk i ndjekë kontaktet, nuk e përdor lokacionin dhe as emrin dhe mbiemrin e personit që e përdor aplikacionin. Të njëjtin sipas tij deri tani e kanë shkarkuar 5000 persona, ndërsa kërkohet shkarkimi sa më masiv i të njëjtit.
Për 24 orët e fundit, janë bërë gjithsej 330 teste, nga të cilat 24 kanë dalë pozitiv edhe atë 4 në Shkup, 11 në Kumanovë, 3 në Prilep, 4 në Tetovë, 2 në Veles, 1 në Koçan dhe 1 në Probishtip.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri më 9 prill, me virusin korona janë prekur 117 persona nga personeli shëndetësor. Të punësuarit shëndetësor janë nga Ohri, Shtipi, Kumanova, Dibra, Kavadari, Manastiri, Prilepi, Demir Hisari, Gostivari, Tetova dhe Shkupi.



