Afati për paraqitjen e listave të kandidatëve për kryetarë komunash dhe për listat e këshilltarëve komunalë skadoi në mesnatën e 14 shtatorit, e më pas komisionet komunale zgjedhore kishin 48 orë afat që të vërtetojnë dhe kontrollojnë kandidaturat.
Por, ky afat ligjor është shkelur dhe KShZ nuk ka mundur të vërtetojë listat e kandidatëve pasi ato nuk janë të kompletuara. Për rreth 200 kandidatë mungon dokumenti për dosje penale që e jep Gjykata Themelore Shkupi 1, e cila arsyeton vonesën me defektin në sistemin AKMIS prej disa ditësh. KShZ është njoftuar nga Gjykata se vërtetimet do të lëshohen sapo të kthehet sistemi.
KShZ, ndërkohë, të martën në mesditë bën edhe caktimin e renditjes së kandidatëve nëpër listat për votim, përmes shortit. Numrat në listë do të jenë të njëjtë në të gjithë komunat.
Në rast se një parti nuk ka kandidat në një komunë, numri i njëjtë do të hiqet prej liste dhe do të vazhdohet me numrin tjetër, të ardhshëm në listë. Komisionet komunale zgjedhore do të duhet të publikojnë listat e kandidatëve dhe këshilltarëve të komunave.
Listat dhe udhëzimet tjera do të jenë në dy gjuhë në të gjitha ato komuna ku ka popullatë prej mbi 20% që flasin gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja. Zgjedhjet mbahen më 15 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 29 tetor.

