VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e aksidentit tragjik në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona.
Sipas partisë në pushtet, shfuqizimi i aktgjykimit dëshmon, siç pretendojnë ata, për mungesë të përgjegjësisë në sistemin gjyqësor.
“Gjykata Supreme e shfuqizoi aktgjykimin për aksidentin në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona. 16 njerëz vdiqën dhe nuk ka përgjegjës”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia akuzon gjithashtu sistemin e drejtësisë për mungesë përgjegjësie edhe në rastin e spitalit modular në Tetovë, ku nga zjarri humbën jetën pacientë.
“Ku në një shtet tjetër dhe nën një sistem tjetër gjyqësor mund të vdesin mbi 30 persona dhe të mos ketë fajtorë?”, pyet VMRO-DPMNE.
Në reagim përmendet edhe rasti i Stevço Jakimovskit, për të cilin partia thotë se është liruar nga burgu, pavarësisht se ishte dënuar me aktgjykim të formës së prerë.
VMRO-DPMNE pretendon se në sistemin gjyqësor ende janë aktive struktura të lidhura me LSDM-në dhe BDI-në, ndërsa e cilëson vendimin e Gjykatës Supreme si “turp për drejtësinë në Maqedoni”.
Partia thekson se besimi i qytetarëve në gjyqësor është vetëm 2 për qind, duke e përdorur këtë si argument për kritikat ndaj funksionimit të sistemit të drejtësisë.




