Dy tre ditë ministri i shëndetësisë Arben Taravari ka dhënë përgjegjësi vetëm para VMRO-DPMNE-së për infeksionin në Simnicë të Gostivarit, duke mos iu kujtuar fare për të ngushëlluar familjen që humbi dy anëtarë. Ai ka ngushëlluar familjen nga Simnica vetëm pasi ka marë verejtje nga Amir Elezi i Lëvizjes Besa. Elezi e ka qortuar Taravarin që të ndërpret dhenien përgjegjësi para VMRO-së dhe e ka ftuar të japë përgjegjësi para banorëve të Simnicës.
“Taravari të japë llogari para shqiptarëve të Simnicës, e jo para VMRO-së
Sjellja e ministrit të shëndetësisë Arben Taravari kundrejt tragjedisë së familjes shqiptare nga fshati Simnicë është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e çuditshme. Në paraqitjet e tij vërehet qartë dëshira vetëm për të larë veten nga përgjegjësia të cilës nuk mund t’i ikë, por aspak nuk vërehet dhimbje për dy viktimat, nëse jo si ministër, atëherë së paku si bashkëvendas që i ka. Është kjo sjellje e çuditshme jo vetëm për një mjek, siç është z. Taravari, por edhe për një njeri të thjeshtë. Çdo ministër normal në kësi rasti do të ofronte dorëheqjen e tij. Mirëpo Taravari jo që nuk po jep dorëheqje, por në vend se të japë përgjegjësi para shqiptarëve të Simnicës, që humbën dy bashkëfshatarë të tyre, ai tani dy ditë me radhë po jep përgjegjësi para VMRO-DPMNE-së.
Në këtë mënyrë, me ose pa vetëdije Taravari po tregon se ndien më tepër përgjegjësi para VMRO-DPMNE-së, sepse ishte i vetmi ministër në qeverinë e re që mori përkrahje nga kjo parti, se sa para shqiptarëve. Është e vërtetë se shqiptarët i dhanë shumë pak vota Taravarit si kandidat për deputetë. Mirëpo prej momentit që ka marrë postin e ministrit, ai nuk guxon të tregohet hakmarrës ndaj shqiptarëve që nuk i dhanë mandat deputeti”, ka shkruar në Facebook Elezi.
Taravarit i është kujtuar gabimi dhe ka dërguar ngushëllime duje replikuar te postimi i Elezit.
“Fatkeqsisht në Simnicë të Gostivarit, ka pasur tendenca që të zhvillohet një infeksioni, i cili ka rrëmbyer jetë njerëzish…
Është kaq i trishtë ky lajm, me mendje dhe me zemër jam pranë familjeve që këto ditë kanë humbur më të dashurit e tyre…Shpreh dhimbjen time më të thellë! Vdekjet janë raste ku emocioni nuk përkthehet dot lehtë në fjalë…
Nga ana tjetër fatmirësisht duket se gjendja është marrë nën kontroll. Ministria e Shëndetësisë kërkon të qetësojë qytetarët e Gostivarit dhe të sigurojë se do bëhen të gjitha përpjekjet profesionale dhe njerëzore për t’a larguar sa më shpejt hijen e këtij infeksioni…i cili na la trauma siç ishte humbja e atyre njerëzëve të mirë!
Lutem Zotit të lehtësojë zemrat e rënduara të familjarëve…
Me pikëllim të thellë…
Arben Taravari”, ka shkruar Taravari në mesazhin e tij të vonuar për Simnicën.

