Alsat 2019-06-01T16:56:39+02:00
Për vizitë zyrtare, nesër në Shkup vjen sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhe përfaqësues të Këshillit Veri-Atlantik për të vulosur gatishmërinë e tyre për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në NATO. Në një intervistë për Alsat, përgjegjësi i ri për mbylljen e procesit të anëtarësimit në NATO, Dane Taleski, thotë se Aleanca është e gatshme që të pranojë vendin si anëtare të plotfuqishme, ndërkohë që edhe ratifikimi i protokollit në vendet anëtare zhvillohet me ritëm relativisht të shpejtë.
- Taleski, jemi në prag të vizitës së Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg këtu në Shkup. Çfarë pritet nga kjo vizitë në këto momente?
- Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg vjen së bashku me Këshillin Veri-Atlantik i cili është trupi më i lartë politik që drejton NATO-n dhe në të cilin ulen përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s. Vizita e tyre këtu është një vulë finale politike për anëtarësimin tonë të sigurtë në NATO. Ata vinë këtu për të treguar se ata janë të gatshëm dhe ne jemi të gatshëm që më tej të vazhdojmë bashkërisht që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë anëtare e 30 e NATO-s.
- Vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike janë duke ratifikuar protokollin e Maqedonisë së Veriut për në NATO. Si zhvillohet ky proces? A ka ndonjë pengesë deri në këto momente dhe kur pritet që të përfundojë?
- Procesi zhvillohet shumë mirë. Ka filluar në fillim të shkurtit dhe deri tani ka një numër të konsiderueshëm të vendeve që e kanë ratifikuar, tashmë 14. Në vendet e mbetura ka filluar procedura. Është shumë e pahijshme të thuhet se kur do të përfundojë sepse varet nga procedura e brendshme e secilit vend anëtar në veçanti dhe çdo vend anëtar ka procedurë të ndryshme, diku e miraton Qeveria, diku Kuvendi, në disa vende Kuvendi ka dy dhoma dhe duhet të kalojë tek të dyja, diku ka dhe mbret i cili në fund duhet ta nënshkruaj si shembull në Norvegji ose në Spanjë. Por, siç shkon kështu në rregull, ne kemi për qëllim që deri në dhjetor, nëse mundet, vendi ta përfundojë procesin dhe të jemi anëtare e plotfuqishme sepse do të ketë simbolikë të mirë. Në dhjetor do të ketë Samit të NATO-s me rastin e 70 vjetorit të themelimit të NATO-s dhe do të jetë bukur nëse atje jemi të pranishme si anëtare e 30 e plotfuqishme. Por, edhe nëse nuk arrin procesi i ratifikimit deri atëherë, nëse nuk përfundon, nëse nuk kompletohet, ne përsëri do të marrim pjesë në atë Samit kurse anëtarësimin e plotë do ta marrim një ose dy muaj më vonë. D.m.th. është çështje kohe dhe nuk ka ndonjë dallim të madh a do të jetë në fund të këtij viti ose fillim të vitit tjetër përveç se do të jetë simbolikë e mirë që në ditën kur festohet 70 vjetori, anëtarja e 30 të jetë aty.
- Si përgjegjës i ri i mbylljes së këtij procesi, a mendoni që deri në këto momente ka pengesa në sferën e sigurisë dhe mbrojtjes të cilat Maqedonia e Veriut akoma nuk i ka plotësuar?
- Unë i kam marrë detyrimet nga koordinatori paraprak nacional për NATO nga z. Stevo Pendarovski i cili u zgjodh për President të shtetit dhe deri në momentin që ishte koordinator nacional shumë mirë i ka përfunduar detyrimet dhe shpresoj se si President akoma më shumë dhe më mirë do të kontribuojë për integrimin në NATO. Ne jemi edhe politikisht edhe teknikisht të gatshëm që të jemi vend anëtar në NATO. Në aspektin teknik, gjithmonë mundet dhe duhet më shumë të bëhet në kuptimin e modernizimit të mbrojtjes tonë, përforcimin e kapaciteteve, rritjen e kapaciteteve ndëroperuese me strukturat e NATO-s dhe përmirësimin e cilësisë së punës së vetë strukturave që do të kujdesen për sigurinë tonë, por për këtë kujdeset Qeveria, për shkak të kësaj ka nevojë që të rritet buxheti i mbrojtjes. Por, NATO nuk është vetëm aleancë ushtarake, ajo është aleancë politike. Mbështetet në parimet demokratike dhe ne këtu punojmë dhe avancojmë funksionimin demokratik të institucioneve siç është sundimi i së drejtës, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe profesionalizimi i administratës. Dhe në këtë pjesë kërkesat dhe kriteret e NATO-s përputhen me kriteret, kërkesat, standardet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa siç e pamë nga raporti i fundit i Bashkimit Evropian këtu në të gjitha këto fusha kemi bërë përmirësime të konsiderueshme dhe tashmë jemi të gatshëm që të bëhemi vend anëtar i NATO-s dhe kjo, siç e thash, është çështje kohe.
Fatlume Dervishi
Loading…



