03 Shkurt
Procedura e përkthimit të amendamenteve të VMRO-DPMNE-së mbi ligjin për përdorimin e gjuhëve akoma nuk ka përfunduar. Derisa Kuvendi nuk jep detaje rreth numrit të amendamenteve të përkthyera, nuk dihet edhe kur do të vendoset në rend dite shqyrtimi i tyre. Ekspertët vlerësojnë se 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së bëhen me qëllim bllokimin e ligjit. Ish deputeti, Naser Zyberi thekson se në këtë fazë nuk mund të hapet debat për amendamente.
Kemi të bëjmë me procesin e shpalljes së ligjit, nuk kemi të kemi të bëjmë me procedurën e miratimit që ne të hapim debat amendamentesh rreth arsyes së sjelljes së ligjit sepse faza e tillë është kaluar dhe Kuvendi ka votuar në mënyrë meritore. Kjo tani bëhet me qëllim që t’i mundësohet VMRO-së shtrimi i 30-50 mijë amendamente me çka qartë bëhet me dije se nuk i intereson përmbajtja e ligjit por bllokimi i tij – deklaroi juristi Naser Zyberi.
Zyberi shton se Presidenti Ivanov vërejtjet e tij mbi ligjin e gjuhëve i ka dërguar në adresë të gabuar.
Presidenti mund të shpall dy dilema përmbajtjesore rreth ligjit. Një, oportuniteti politik që sjell ligji dhe t’i thotë arsyet e e tij se pse nuk pajtohet dhe të njoftojë Kuvendin dhe e dyta, në rast vlerësimi se ligji bie ndesh me Kushtetutën dhe i shkel dispozitat kushtetuese atëherë adresën e ka të gabuar. Vërejtjet e tij për kushtetutshmërinë e ligjit duhet t’i adresojë në Gjykatën Kushtetuese si organ kompetent për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së ligjit për përdorimin e gjuhëve – tha ai.
Mbi konstatimet e Presidentit Ivanov në arsyetimin e tij për mos-dekretimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, VMRO-DPMNE-ja ka propozuar mbi 35 mijë e 569 amendamente. Ndonëse shqyrtimi i tyre akoma nuk ka filluar, shumica parlamentare shqyrton mundësinë për thirrjen në nenin 164 të Rregullores së Kuvendit, respektivisht mbajtjen e diskutimeve të përbashkëta të numrit të amendamenteve për një nen. Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua më 11 janar me 69 vota pro, ndërsa më 17 janar Presidenti Ivanov njoftoi për mos-dekretimin e tij mbi arsyetimin se i njëjti bie ndesh me Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit.
Adrian Kerimi

