Një incident serioz ka ndodhur më 20 maj 2026 në shkollën teknike “Anton Çeta” në Skenderaj, ku gjatë kontrollit të çantave nga stafi i shkollës janë zbuluar armë dhe mjete të rrezikshme te dy nxënës të mitur, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se drejtori i shkollës ka njoftuar menjëherë Policinë pasi gjatë kontrollit rutinë stafi kishte gjetur një armë zjarri te një nxënës dhe një mjet të mprehtë te një nxënës tjetër.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore në rroba civile, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë sekuestruar: një armë zjarri kalibri 6.35 mm, një karikator, 19 fishekë, një gëzhojë, një predhë të armës së gjatë 7.62×39 mm, si dhe një thikë me gjatësi tehu 8.5 centimetra.
Dy nxënësit e mitur, me inicialet E.V., janë shoqëruar në Stacionin Policor në Skenderaj, ku janë intervistuar në prani të prindërve dhe avokatit mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti ka ngritur shqetësim serioz për sigurinë në ambientet shkollore.


