19 November
Qeveria është larg emërimeve të reja në vendet vakante të ekzekutivit. Dinamika e deritanishme nuk jep shpresë se së shpejti shumica mund të arrij marrëveshje për emrat e ministrave dhe zëvendësministrave të cilët u larguan nga postet për shkak të kandidaturave në zgjedhjet lokale. Alsat M mëson se Aleanca për Shqiptarët, ministri i të cilës la dikasterin e Shëndetësisë për garën e Gostivarit, ka propozuar emrin e ministrit të ri edhe pse nga ky subjekt akoma zyrtarisht nuk kanë kumtuar emrin që do të zëvendësojë Arben Taravarin. E heshtur është edhe BDI. Partia Ahmetit për prioritet ka kërkim faljen nga ana e Zijadin Selës për akuzat e tij drejtuar Ali Ahmetit për 27 prillin e përgjakshëm, ndërsa për ministrin pa resor dhe zëvendësministrin e arsimit, akoma nuk është prononcuar. Ndërkohë LSDM-ja dhe kryeministri Zoran Zaev duke mos dhënë detaje për hapa konkret, mbrohen me pohimet se shumica është stabile dhe se mungesa e ministrave nuk paraqet pengesë për funksionimin e qeverisë. Zaev në një komunikim të shkurt konfirmoi për Alsat M se Aleanca për Shqiptarët ka propozuar një emër për ministër të Shëndetësisë, por të njëjtin për momentin nuk do ta bëj publik. Ndërkohë sipas analistëve me këtë neglizhencë dëmin më të madh e pësojnë qytetarët. Profesori Nikolla Dujovski vlerëson se për t’i dalë zot proceseve që e presin vendin, nevojitet Qeveri e kompletuar.
Më së shumti humbin qytetarët. Pse? Sepse funksionimi i një ministrie nuk mund të varet nga zëvendësministri, ndihmës-ministrat apo drejtorët. Ministria udhëhiqet nga ministri dhe është me rëndësi që sa më shpejtë të gjendet një vendim i guximshëm dhe i logjikshëm se kush do ta plotësojë atë vend…Duhet sa më shpejtë të përfundojnë këto çështje ngase Maqedonia para vete ka shumë procese të forta. Na presin çështje të hapura me fqinjët të cilat mund të tejkalohen vetëm me kapacitet të plotësuar politike dhe kjo nënkupton Qeveri e cila funksionon 100 për qind – deklaroi analisti, Nikolla Dujovski.
Edhe në rast propozimi të emrave, Kuvendi do ta ketë të vështirë të vendos në rend dite propozimet e Qeverisë. Duke pasur parasysh vizitat e deputetëve në Parlamentin Evropian në Bruksel, si dhe kalendarin e ngjeshur të Kuvendit deri në fund të vitit ku duhet debatuar për buxhetin, ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ligjin për dëshmitarët e mbrojtur, nuk përjashtohet mundësia që ky vit të përfundojë duke e gjetur Qeverinë pa ministër Shëndetësie, pa ministër pa resor për investime të huaja dhe pa zëvendësministër të Arsimit. Referuar ligjit për Qeverinë, në këto raste kompetencat i kalojnë Kryeministrit.
Adrian Kerimi

