Me rastin e Ditës Botërore të Librit, në Kumanovë zv/kryeministri Arben Fetai së bashku me Ambasadorin e Shqipërisë, Denion Meidani e kanë vizituar gjimnazin “Sami Frashëri” dhe shkollën teknike “Nace Bugjoni”, për të shpërndarë libra për nxënësit e vitit të parë.
Më poshtë shkrimi i plotë i Fetait:
“Sot, me rastin e Ditës Botërore të Librit, pata kënaqësinë të jem në Kumanovë, së bashku me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, z. Denion Meidani, për t’u shpërndarë libra nxënësve të vitit të parë në gjimnazin “Sami Frashëri” dhe shkollën teknike “Nace Bugjoni”.
Këta libra janë pjesë e një fondi prej 4.200 titujsh të letërsisë botërore, të siguruar në bashkëpunim me Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, z. Igli Hasani. Të gjithë nxënësve të klasave të para në shkollat e mesme në gjuhën shqipe në nivel vendi do t’u dhurohet nga një libër.
Kjo nismë ka për synim të nxisë kulturën e leximit, të pasurojë bibliotekat tona shkollore dhe të zhvillojë mendimin kritik e kreativitetin te të rinjtë tanë.
Faleminderit Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, veçanërisht zëvendës Drejtores Shpresa Selimi për bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë projekt me vlerë për formësimin intelektual të gjeneratave të reja” – shkruan Fetai.