Tranzicioni në Shqipëri, krahas fuqizimit të bizneseve dhe individëve të veçantë, informalitetit dhe interesave okulte, solli edhe një kategori personazhesh që u kthyen në viktimat e këtij sistemi të ri ku kishin ngjitur me shpejtësi shkallët.
Njerëz të fuqishëm, të lidhur me pushtetin dhe paranë, të cilët u zhdukën pa gjurmë, në shumë hamendësime, por edhe dyshime, që nuk panë kurrë dritën e së vërtetës.Një ndër këta persona, është edhe Eduart Belegu, njeri i bizneseve dhe ish-këshilltar i dy ministrave të Ekonomisë, në mandatin e parë dhe fillim mandatin e dytë të qeverisë Berisha.
Belegu, u zhduk në mënyrë misterioze fundmarsin e vitit 2010. Ai humbi gjurmët më 23 mars të këtij viti, për të mos u gjetur më kurrë. Atë paradite, ai ishte ndalur në biznesin e njërit prej ortakëve të tij, për t’i marrë një sasi parash që ky i fundit i kishte hua.
Për herë të parë “Në shënjestër” në News24 publikon dosjen e plot hetimore ku sillen me detaje të gjitha pikëpyetjet që mbulojnë me mister këtë ngjarje.
Sipas dosjes së siguruar nga emisioni ‘Në shënjestër’, kallëzimi në prokurori për zhdukjen, u bë nga bashkëshortja e tij, Iliriana Belegu.
24 orë, pasi bashkëshorti ishte larguar pa njoftuar, ajo ngjiti shkallët e organit të hetuesisë, për të denoncuar ikjen e pazakontë të bashkëshortit të saj.
Procedimi penal u regjistrua nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi.
Në kallëzimin përpara oficerit të policisë gjyqësore, Iliriana Belegu, shpjegoi se bashkëshorti i saj Eduarti ishte larguar nga shtëpia që prej orës 09:00 të datës 23.03.2010. Dhe që nga ai moment, nuk dihej vendndodhja e tij.
Ndërkohë që të dy telefonat celular që ai kishte pasur me vete, rezultonin të ishin të fikur.
Iliriana Belegu, në cilësinë e bashkëshortes, informoi me tej oficerin e policisë gjyqësore, se më datë 23.03.2010, Eduarti do të shkonte të takonte shtetasin Thanas Gjinopulli i njohur si Nasho, ku do t’i merrte një sasi dollarësh që ky i fundit ia kishte borxh. Më pas, po sipas bashkëshortes, Eduarti do të shkonte për në Durrës.
Lajmin për zhdukjen e bashkëshortit, Ilirjana Belegu e mori nga vëllai i Eduartit.
Si person në dijeni për rrethanat e ngjarjes, Gjinopulli i njohur si Nasho, u thirr në prokurori, ku pohoi takimin me Belegun dhe arsyet e atij mëngjesi të shpejtë.
Thanas Gjinopulli tha përpara hetuesve se më datë 23 mars 2010, rreth orës 9:45, Eduard Belegu kishte shkuar në magazinat e tij.
Ku sipas tij kishte marrë 8 topa më dollarë si edhe një letër ku ishin shënimet e likuidimeve.



