Partia Lidhja Shqiptare ka reaguar ndaj veprimeve dhe deklaratave të ministres së Arsimit, Vesna Janevska, duke vlerësuar se ato dëshmojnë, sipas tyre, një tendencë të Qeverisë për të anashkaluar mekanizmin e Badenterit dhe për të cenuar arsimin në gjuhën shqipe.
Në reagimin e LSH-së, theksohet se vendimet e fundit të ministres janë marrë pa debat publik, pa konsultime me ekspertë dhe autoritetet lokale, si dhe pa analiza të mjaftueshme.
Sipas LSH, me vendim të Ministrisë është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në komunat me shumicë shqiptare.
“Fillimisht pa debat publik, pa konsultim me ekspertë dhe autoritetet lokale dhe pa një analizë të mirëfilltë, vetëm me vendim të ministres është ulur numri i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në të gjitha komunat shqiptare”, thuhet në reagim.
Lidhja Shqiptare kritikon gjithashtu vendimin për reduktimin e numrit të studentëve në disa fakultete, duke vlerësuar se arsyetimi për mungesë të mundësive të punësimit nuk qëndron, pasi, sipas tyre, Qeveria ka bllokuar punësimin e të rinjve shqiptarë.
Partia shpreh shqetësim edhe për deklaratat e Janevskës lidhur me miratimin e ligjeve për arsimin e lartë pa mekanizmin e Badenterit.
“Edhe më skandaloze është deklarata për të sjellë ligjet për arsim të lartë pa Badenter, që në gjuhën e thjeshtë përkthehet ‘pa i pyetur shqiptarët’”, theksojnë nga Lidhja Shqiptare.
Sipas LSH-së, këto zhvillime rikthejnë kujtime nga vitet ’90, kur shqiptarët përballeshin me pengesa në arsimimin në gjuhën amtare dhe në përpjekjet për themelimin e institucioneve arsimore në gjuhën shqipe.
Në fund të reagimit, Lidhja Shqiptare akuzon përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri për heshtje dhe mosreagim ndaj këtyre zhvillimeve.
MARKETING


