Alsat 2019-05-25T10:25:45+02:00
Në një klimë të ndezur politike, në prag të protestës së 6-të kombëtare antiqeveritare të opozitës, që do zhvillohet të shtunën në mbrëmje, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it nisi zyrtarisht punën, të premten, (24.05.2019). Misioni është ftuar nga Qeveria Rama për të vëzhguar zgjedhjet lokale, të caktuara me dekret presidencial të zhvillohen muajin e ardhshëm, më 30 qershor.
Çështja më e nxehtë për procesin zgjedhor të lokaleve 2019 është vendimi i opozitës jashtë parlamentit, e kryesur nga PD, për të mos marrë pjesë në këto zgjedhje dhe për të mos lejuar zhvillimin e tyre. Ndërkohë përgatitjet për procesin zgjedhor po ecin sipas afateve të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Shqipërisë. Në këtë kontekst është edhe ardhja në Shqipëri e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it.
Kryesuesja e këtij misioni, Ambasadorja Audrey Glover, në konferencën për shtyp, të premten, me rastin e fillimit zyrtar të punës së misionit, bëri me dije se ku do të përqëndrohet puna. “Këto janë zgjedhjet e 14-ta që OSBE/ODIHR vëzhgon në Shqipëri. Do të mbajmë sytë hapur për të vëzhguar fenomenin e blerjes së votës apo parregullsi të tjera,” tha ajo .
Akuza për blerje votash në zgjedhjet partlamentare 2017 nga qeveria Rama dhe lidhjet e saj me krimin janë shkaku që ka shpallur opozita për protestat e saj antiqeveritare, të nisura në mes të shkurtit të kaluar dhe i bojkoti i lokaleve 2019. Sipas opozitës, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 30 qershor pa rrëzimin e qeverisë Rama, krijimin e një qeverie kalimtare që të garantojë votën e lirë.
Loading…



