Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se lufta do të kthehet në Rusi, pas një sulmi me dron në kryeqytetin Moskë. Zelenskyy tha se sulmet në territorin rus ishin një “proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë”, i luftës midis dy vendeve.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se tre dronë ukrainas u rrëzuan të dielën, ndërsa dy u përplasën në zyra. Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit, u mbyll gjithashtu për pak kohë.
Sulmi me dron në orët e para të së dielës, është i fundit për të cilin Moska ka fajësuar Kievin. Dhe në një fjalim video të dielën nga qyteti perëndimor i Ukrainës, Ivano-Frankivsk, Zelenskyy tha se Ukraina po forcohej.
“Sot është dita e 522-të e të ashtëquajturit “Operacion Special Ushtarak”, për të cilin udhëheqja ruse mendoi se do të zgjaste disa javë”, tha ai.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha të dielën se Moska do të duhej të përdorte një armë bërthamore nëse kundërofensiva e vazhdueshme e Kievit ishte e suksesshme, raporton “BBC”.
Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë – një organ i kryesuar nga Putin, tha në mediat sociale se nuk do të kishte “zgjidhje tjetër” nëse Ukraina merr atë që ai e përshkroi si “tokën tonë”.
Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar pas sulmit me dron të së shtunës, dhe kryetari i bashkisë së qytetit Sergei Sobyanin tha se fasadat e dy ndërtesave të zyrave ishin dëmtuar lehtë.
Fluturimet u pezulluan për pak kohë nga Aeroporti Vnukovo, në jugperëndim të qendrës së qytetit dhe avionët në hyrje u ridrejtuan në aeroporte të tjera.



