Dita e sodit në historinë e vendit do të shënohet si ditë e turpshme për gazetarinë e Maqedonisë. Në një intervistë të realizuar me kryetarin e kuvendit, z. Talat Xhaferi, që ka të bëj me aktualitetin e vendit dhe rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO, të gjitha palët që morën pjesë në këtë intervistë janë shpallur si terroristë, që është një akt shumë tragjikomik dhe aspak serioz. Lajmi i publikuar nëpër “medie” të ndryshme vendase si puna e www.almakos.com, www.shenja.tv, www.gostivari24.com, www.facebook.com/rrugadrejtportal, www.monitor.mk etj., që janë nën shërbimin e një ideologji të caktuar, e konsiderojmë si të pavërtetë dhe shumë tendencioz.
Prandaj e shohim të arsyeshme që ta njoftojmë opinionin e gjerë si më poshtë:
Gazeta Zaman Maqedoni, është një kompani vendase që është plot 23 vjet në shërbim në sferën mediatike, duke respektuar të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore të vendit. Gjatë kësaj periudhe, gazeta Zaman Maqedoni, ka pranuar mirënjohje të shumta nga ana institucioneve vendase.Ne jemi një medie, jo vetëm që ka si detyrë të bëj lajme objektive për opinionin, por gjithashtu jemi një institucion që transparencën e kemi bërë si parim themelor. Nga ana tjetër, për Fetullah Gylenin ekziston vetëm një vendim gjyqësor në Turqi, e cila edhe sot e kësaj dite është valide; Në vitin 2008, gjykatat turke kanë marrë vendim njëzëri se lëvizja Gylen, nuk është një lëvizje terroriste. Ky vendim fillimisht është konfirmuar nga Gjykata e Lartë e Turqisë, dhe më vonë edhe nga të gjitha anëtarët në Bordin e Përgjithshëm të Gjykatës së Lartë. Nga vet fakti që nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që e pohon të kundërtën, të gjithë ata që përdorin fjalën “FETO”, si pretekst për të dëmtuar qëllimisht imazhin e njerëzve të pafajshëm, jemi të bindur dhe të sigurt se herët ose vonë, një ditë do të përballen me drejtësinë.Ashtu që, edhe gazeta Zaman Maqedoni, e cila ishte preh e këtyre sulmeve absurde dhe të pamoralshme, do të vazhdoj të kërkoj drejtësinë para organeve kompetente të vendit.Për shpifjet dhe akuzat që na janë bërë, do të informojmë të gjitha institucionet relevante dhe do të ndjekim rrugën juridike pasi vlerësojmë se këto portale kanë për qëllim që të dëmtojnë mediumin tonë dhe fjalën e lirë.Të ashtuquajturat “medie” që i shpallën terroristë të gjitha palët që morën pjesë në një intervistë me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi madje edhe këtë të fundit duhet ta dinë një gjë; Maqedonia nuk është një shtet diktatorial i Lindjes së Mesme, i cili me pohime të pavërteta shpall terroristë, i torturon, i anulon pasaportat dhe i konfiskon pronat e mijëra gazetarëve, akademikëve, punëtorëve, bujqve, arsimtarëve, studentëve, amvisave etj. Maqedonia është një shtet që ka marrë rrugën për t’iu bashkuar familjes së madhe të NATO-së dhe BE-së, atje ku shprehja dhe mendimi i lirë kanë vlera të posaçme.
Zaman Maqedoni