Partia Liberal Demokrate dhe kryetarja e saj Monika Zajkova konfirmuan se në Kuvend veprojnë si të pavarur dhe jo në një grup parlamentar me LSDM-në, ashtu siç pretendon Venko Filipçe, shkruan Alsat.
Zajkova nuk tregoi nëse planifikon dhe nëse ka ofertë t’i bashkohet shumicës së re por tha se janë të fokusuar në propozimin e zgjidhjeve të mira ligjore.
“Ja, mund ta shihni edhe nga ligjet e dorëzuara, por edhe përmes stenogrameve për votime të caktuara. PLD-ja vepron e pavarur, duke mbrojtur politikën e saj demokratike-liberale. Për momentin, partia është e fokusuar për propozim ligje më të mira për qytetarët dhe jo a do të bëhemi pjesë e ndonjë shumicë të caktuar. Kur partia të ketë çfarëdo oferte, para së gjithash do ta flasë në kuadër të trupave dhe organeve të partisë dhe normalisht për këtë do ta njoftojmë edhe opinionin” , tha Monika Zajkova, PLD./ Alsat.mk