Me dyzet minuta vonesë, kryeministri Zoran Zaev doli para gazetarëve për të prezantuar projektimin e buxhetit për vitin 2018. Në stilin e paraardhësit të tij Nikolla Gruevskit, edhe Zaev vazhdon praktikën e vonesës së kryeministrave në ngjarjet publike. Konferenca për media e thirrur për në orën 11:30 në Qeveri, filloi në orën 12:10 minuta, për shkak të vonesës së kryeministrit Zoran Zaev.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTR
“Të nderuar kolegë, fillimisht kërkojmë falje për vonesën, ju faleminderit për durimin për konferencën për media” Vonesën e tij, Zaev tentoi ta arsyetojë me një takim paraprak në Qeveri.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR “Më lejoni të kërkoj falje edhe në emrin tim, kishim diplomat të huaj në Qeveri dhe nuk kishte kuptim të ndërpritet takimi…”
Paraqitja me mbi 40 minuta vonesë në ngjarje publike ishte veti e njohur e Nikolla Gruevskit, për 10 vjet sa ishte kryeministër i vendit. LSDM-ja në cilësinë e opozitës, dhjetëra herë ka reaguar kundër sjelljes së tillë të Gruevskit, duke e cilësuar si të papërgjegjshme dhe mungesë respekti ndaj deputetëve, mediave dhe qytetarëve. Madje në një seancë të Kuvendit, ish deputeti i LSDM-së Jani Makraduli i dhuroi një orë me zile ish kryeministrit Gruevski, që të mos vonohet në seancat për pyetje deputetësh. /Benjamin Arifi

