17 September
Kryeministri Zoran Zaev do ta kryesojë delegacionin e Republikës së Maqedonisë në Asamblenë e Përgjithshme të 72-të të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork nga data 17 deri më 23 shtator, kumtoi shërbimi qeveritar për media.
Në përbërjen e delegacionit të Republikës së Maqedonisë do të jenë edhe shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe ministri pa portofol për diasporën Edmond Ademi.
Zaev do të marrë pjesë në hapjen solemne të punës së Asamblesë së Përgjithshme dhe do të ketë fjalim në konferencën tematike “Qeveri e hapur”, me të cilën do të kryesojë presidenti i Francës, Emanuel Makron. Është paraparë që kryeministri Zaev të marrë pjesë edhe në shumë panele tematike gjatë këtij tubimi botëror të shefave të shteteve dhe qeverive.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë do të ketë drekë pune me sekretarin e përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh, shumë takime të tjera bilaterale, midis të cilave edhe me kryetarin e Këshillit të Evropës, Donald Tusk, me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Federika Mogerini, me kryeministrat e Norvegjisë dhe të Maltës, si dhe me presidentin e SHBA-së Donald Tramp.
Në kuadër të vizitës në Nju-Jork, kryeministri Zaev do të ketë takime edhe me përfaqësuesit e diasporës së Republikës së Maqedonisë në SHBA, si dhe me biznesmenë amerikanë.

