Sot mbahet protesta e 126-të qytetare në Tiranë, në vijim të tubimeve të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas më shumë se katër muajsh protestash të pandërprera, qytetarët dhe aktivistët rikthehen sërish në shesh, duke paralajmëruar vijimin e qëndresës dhe përsëritjen e kërkesave të tyre politike.
Protesta e radhës vjen një ditë pas tubimit të 125-të, ku qytetarët u mblodhën nw shehsin “Skwnderbej” dhe më pas marshuan në rrugët e kryeqytetit. Gjatë protestës së djeshme u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e Ramës dhe ndryshimin e drejtimit politik të vendit. Në fund të tubimit u bë thirrja për pjesëmarrje më të madhe në ditët në vijim.
Në protestën e 125-të nuk munguan as deklaratat dhe akuzat e forta ndaj zyrtarëve të qeverisë. Një prej protestueseve kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa deklaratat e saj u shoqëruan me akuza për korrupsion ndaj qeverisë.
Protestuesit kanë përsëritur prej javësh se kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra. Në platformën e tyre përfshihet edhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime në sistemin politik dhe shfuqizimi i disa nismave ligjore që ata i kundërshtojnë.
Edhe gjatë tubimit të djeshëm, pas përfundimit të fjalimeve përpara Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës.



