Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, i ka thënë presidentit amerikan, Donald Trump se vendet e tyre duhet të jenë “partnerë dhe jo kundërshtarë”, ndërsa presidenti amerikan e ka quajtur Xi-në një “udhëheqës të madh”, ndërsa ata nisën bisedimet të enjten në Pekin.
Trumpi është pritur me nderime të larta nga homologu i tij kinez.
Gjatë vizitës dyditore të Trumpit në Kinë, dy liderët pritet të diskutojnë një sërë çështjesh të mprehta, duke përfshirë teknologjinë dhe tregtinë.
Xi i ka thënë Trumpit gjatë takimit bilateral prej më se dy orësh se Tajvani “është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet Kinë-SHBA”.
Media shtetërore kineze ka publikuar komentet e Xi-t që paralajmëronin për një “konflikt” të mundshëm me SHBA-në për shkak të Tajvanit.
Tajvani është një ishull i vetëqeverisur që Pekini e pretendon si territorin e tij dhe nuk e ka përjashtuar marrjen me forcë.
Në vitet e fundit, Pekini ka shtuar stërvitjet ushtarake, duke përfshirë simulimet e bllokadës rreth ishullit, duke shqetësuar autoritetet në Tajvan, si dhe aleatët e ishullit.
Vitin e kaluar, administrata Trump njoftoi shitjen e armëve me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin, të cilën Pekini e dënoi në atë kohë dhe paralajmëroi kundër përpara takimit të sotëm.
Ndërkohë, lufta SHBA-Izrael me Iranin dhe kriza globale e energjisë që pasoi do të jenë po ashtu pjesë e vizitës.
Trumpi pritet ta inkurajojë Xi-në që të shtyjë Teheranin, një aleat kinez, të bjerë dakord për një marrëveshje paqeje dhe të rihapë Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyç jetësore për tregtinë e naftës.
Në samitin historik, Xi është takuar gjithashtu me udhëheqësit e biznesit amerikan që udhëtuan me Trumpin në Kinë.
Trumpi i ka thënë Xi-së se drejtuesit ekzekutivë, përfshirë Tim Cook dhe Elon Musk, erdhën në Kinë për të “shprehur respektin” dhe për të ndërtuar biznes.
Para mbërritjes së tij në Kinë, Trumpi ka thënë se do t’i kërkojë Kinës të “hapet” ndaj industrisë amerikane.


