Skandali me shëndërrimin e xhamisë “Jeni” në Manastir, në muze të Trashëgimisë ortodoks dhe islam, ka ngjallur reagime nga shumë përfaqësues politikë në vend. Pas reagimive të një pas njëshme, ka reaguar edhe përfaqësuesi i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Prof. Dr. Sylejman Baki.
Sipas Bakit, ky akt i Ministrisë së Kulturës, është i pakuptimtë, ku duhet të dënohet një veprim i tillë.
“Në një nga qytetet më të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut, Manastiri (Bitola), vazhdojnë sulmet dhe cënimet ndaj objekteve të trashëgimisë turko-islame nga periudha osmane.
Xhamia historike, e njohur si Kadi Mahmud Efendi ose Xhamia e Re (Jeni Xhamia), e ndërtuar në vitin 1558, jo vetëm që është mbajtur qëllimisht e mbyllur për vite me radhë, por tani, duke filluar nga sot, Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut ka vendosur ta shndërrojë në mënyrë të nxituar dhe të padrejtë në të ashtuquajturë “Muze e Trashëgimisë Kulturore Ortokso-Islame” (çfarë kuptimi ka kjo?!). Me indinjatë të thellë, e dënojë këtë veprim!
Siç raportohet në media, kërkojmë që ky uzurpim i paligjshëm të marrë fund menjëherë, dhe ky objekt historik turko-islamik të kthehet në funksionin e saj origjinal si xhami, duke iu dorëzuar Myftinisë së Manastirit, në emër të drejtësisë dhe ligjit. Autoritetet shtetërore duhet të ndërmarrin pa vonesë hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie!”, ka shkruar përfaqësuesi i Lëvizjes së Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Prof. Dr. Sylejman Baki.