20 November
Si kryetar i Kuvendit do të japë kontributin tim në përforcimin dhe intensifikimin e raporteve ndërmjet dy vendeve miqësore në të gjitha fushat dhe në veçanti në kuadër të bashkëpunimit parlamentar në të gjithë nivelet, porositi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në takimin e sotëm në Shkup me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Xhaferi e ka shprehur kënaqësinë e tij se në vazhdimësi po përforcohen dhe thellohen raportet e ndërsjella ndërshtetërore dhe ndahen vlerat dhe interesat e përbashkëta me Republikën e Shqipërisë në korniza të integrimeve euroatlantike.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Meta duke e shprehur kënaqësinë nga takimi me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, theksoi se e gëzon fakti se për herë të parë përfaqësues i komunitetit shqiptar në Republikën e Maqedonisë është kryetar i Kuvendit dhe ushtrimi i këtij funksioni të lartë dhe të rëndësishëm do të jetë vetëm inkurajim në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe bashkëjetesës në Republikën e Maqedonisë.
Presidenti Ilir Meta, gjithashtu, e theksoi nevojën gjatë periudhës në vijim që të dyja palët të bashkëpunojnë ngushtë në fushën e euro-integrimeve, sepse dhoma ligjdhënëse ka rolin kryesor në rrugën drejt aderimit në familjen evropiane. Ai e përshëndeti mbledhjen e ardhshme të përbashkët qeveritare ndërmjet dy vendeve e cila do të jetë me pika dhe çështje konkrete me interes të përbashkët, dhe shprehu nevojën për zhbllokimin e Republikës së Maqedonisë për aderim në NATO dhe BE.

