“Në Republikën e Maqedonisë ka forca që shikojnë nga lindja dhe nuk duan që vendi ynë të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, ashtu siç nuk e kanë dashur të anëtarësohet në NATO. Kjo retorikë ushqehet nga propaganda që vjen nga Moska. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është krejtësisht normale. Me këtë do të lëviz procesi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë drejt BE-së, ku do të ulemi në të njëjtën tryezë me Bullgarinë dhe do t’i zgjidhim problemet”.
Kështu thotë në një intervistë për BGNES gazetari, shkrimtari dhe publicisti i njohur Xhabir Deralla.
Ai theksoi se në Republikën e Maqedonisë të njëjtat qarqe politike, biznesore dhe mediatike e kundërshtojnë në çdo mënyrë rrugën euroatlantike të vendit.
“Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka forca që shikojnë nga lindja dhe nuk duan që vendi ynë të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, ashtu siç nuk e kanë dashur të anëtarësohet në NATO. Janë të njëjtat struktura që nuk duan që Maqedonia e Veriut të afrohet me komunitetin euroatlantik dhe të përmbushë interesat e saj kombëtare dhe strategjike”, thotë Deralla në intervistë.
Ai theksoi se në vend ka një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të cilët janë të frikësuar nga propaganda e këtyre forcave që veprojnë në biznes, media dhe organizata joqeveritare.
“Këto forca paraqesin përparimin e Maqedonisë së Veriut si shkatërrim të identitetit maqedonas dhe tradhti ndaj rrënjëve kombëtare”, shton Deralla.
Sipas tij, shoqëria maqedonase është e hapur dhe paqësore. “Megjithatë, është viktimë e propagandës së kahershme të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, të cilat nuk janë të mirëseardhura”, tha Deralla.
Në këtë drejtim, ai pranon se në mediat dhe rrjetet sociale maqedonase vërehet retorika antievropiane, antiperëndimore dhe vitet e fundit edhe antibullgare.
“Kjo retorikë ushqehet nga propaganda që vjen edhe nga Moska. Kremlini dëshiron të parandalojë Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë në rrugën e saj evropiane. Kjo retorikë, të cilën me meritë e regjistroni në mediat dhe rrjetet tona sociale, vjen pikërisht nga ato qarqe që thashë më lart, që nuk duan që Maqedonia e Veriut të jetë e qëndrueshme, anëtare e BE-së dhe të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha vendet përfshirë edhe Bullgarinë”, thotë publicisti Xhabir Derala, përcjell PRESSonlin.
Ka një shumicë të madhe të heshtur në vend që nuk dëshiron të hyjë në konflikt me këto qarqe, por ka edhe intelektualë, organizata joqeveritare dhe media që i kundërshtojnë. Sepse, sipas Derallës, fjalimi nacionalist paraqet një nënvlerësim të papranueshëm të një populli apo grupi, duke përfshirë edhe shoqërinë maqedonase.
Lidhur me problemet mes Shkupit dhe Sofjes, Deralla tha se ato “nuk janë të vogla, as të njëanshme, përkundrazi janë shumë komplekse”.
Sipas tij, problemet mund të kapërcehen me durim dhe luftë të vendosur kundër narrativave nacionaliste dhe antibullgare.