“Ballkani do jetë epiqendra e krizës së ardhshme europiane”.
Kështu shkruan gazeta e njohur amerikane, “Wall Street Journal”.
“Në një takim të mbyllur të kohëve të fundit, me ekspertë, një zyrtar i mirënformuar gjerman u pyet se cili është problem që e shqetëson atë më së shumti në Europë. Përgjigjia e tij erdhi pa hezitim: Ballkani Perëndimor, ku një krizë e re po krijohet, teksa Turqia dhe Rusia po trazojnë çorbën.
Në skenarin e tij më të keq, Rusia dhe Turqia do të inkurajojnë “të afërmit” e tyre në Ballkan, Serbinë dhe Shqipërinë, për t’i ndihmuar që të rivizatojnë kufijtë e rajonit. Qeveria serbe, me mbështetjen e Rusisë, mund të aneksonte pjesë të mëdha të Bosnjes së populluara nga serbët etnikë. Mbështetja turke mund të ndihmojë Shqipërinë të marrë një manovër të ngjashme, jo vetëm në Kosovën shqiptare, por edhe në Maqedoni, ku shumica e minoritetit të madh shqiptar dëshirojnë të ribashkohen me atdheun,” thuhet në shkrim.
Ndërkohë tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë po njohin një tjetër rritje.
Deputeti grek i partisë “Demokracia e Re”, Stefanos Gkikas ka dënuar prishjen e disa ndërtimeve pa leje në zonën e Dhërmiut, duke thënë se autoritetet shqiptare cënojnë të drejtat e minoritetit grek.
Sipas tij, e drejta e pronës dhe respektimi i pakicave është një kusht thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Kam frikë se qeveria shqiptare duke shkatërruar pronat që i përkasin minoritetit grek pa pritur edhe vendimet e gjykatës, nuk e kupton seriozitetin e veprimeve të saj, që kanë të bëjnë kryesisht me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Siç e dimë, mbrojtja e të drejtave të minoriteteve, e përcaktuar dhe nga Këshilli i Ministrave të BE-së, është kusht thelbësor për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë”, thotë ai.
Deputeti grek thekson gjithashtu se me këto veprime, qeveria shqiptare duket se po bën çdo gjë që të mos anëtarësohet në BE.
“Për fat të keq, ditët e fundit autoritetet shqiptare kanë prishur në Dhërmi prona që i përkasin anëtarëve të minoritetit grek. Këto veprime duhet të marrin përgjigje nga pala greke, sigurisht edhe nga Bashkimi Europian. Përfundimisht Shqipëria po bën çfarë të mundet që të mos hyjë në BE”, shprehet deputeti grek Stefanos Gkikas.
Dy ditë më parë reagoi edhe Ministria e Jashtme e Greqisë duke dënuar prishjen nga IKMT të disa ndërtimeve pa leje në zonën e Dhërmiut.