Dy të akuzuarit për veprën penale “Rrëmbim” kanë pranuar fajësinë, ndërsa Këshilli Penal i përbërë nga pesë gjyqtarë në Gjykatën Themelore të Kavadarcit u ka shqiptuar gjithsej 10 vite burg.
B.M. (37) është dënuar me 6 vite burg, ndërsa Q.S. (30) me 4 vite burg. Të dyve u është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Bëhet fjalë për aktgjykim të shkallës së parë, ndaj palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. Prokuroria Themelore Publike e Kavadarcit ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin.
Të akuzuarit, banorë të fshatit Koprishnicë të Demir Kapisë, kanë shprehur pendim dhe keqardhje për veprën e kryer.
Sipas ekspertizës psikiatrike, i akuzuari i parë, B.M., në kohën e kryerjes së veprës ka qenë në gjendje dukshëm të zvogëluar të aftësisë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij, për shkak të një sëmundjeje të përhershme mendore – psikozë kronike, paranojë dhe xhelozi patologjike.
Rrëmbimi ka ndodhur më 12 prill të këtij viti, kur B.M., si iniciator i veprës, së bashku me Q.S., kanë rrëmbyer një 21-vjeçar nga Negotina, me qëllim që ta detyronin të incizonte një deklaratë duke pranuar se kishte dhunuar seksualisht gruan e të akuzuarit të parë.
Gjatë rrëmbimit, bashkëkryesi ka përdorur edhe armë zjarri, të cilën e ka mbushur dhe me të e ka kërcënuar të riun.
Sipas aktakuzës, të dy e kanë futur të riun me forcë në një “Mercedes” nga oborri i shtëpisë së tij në Negotinë dhe janë nisur drejt Demir Kapisë përmes rrugës së vjetër. Gjatë gjithë kohës e kanë kërcënuar me vdekje dhe e kanë goditur me grushte. Telefonin e tij e kanë hedhur, ndërsa në kokë i kanë vendosur qese të zeza që të mos mund të shihte se ku po e çonin.
Kur kanë arritur në një zonë pyjore, e kanë nxjerrë nga automjeti dhe e kanë detyruar të dëgjonte regjistrime audio, duke kërkuar prej tij të pranonte se ishte personi që dëgjohej në regjistrime. Meqë ai vazhdimisht e ka mohuar, dy të akuzuarit e kanë kërcënuar se do ta dhunonin seksualisht dhe do ta vrisnin, ndërsa e kanë goditur me grushte dhe me një tub plastik, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Policia ka arritur t’i zbulojë autorët pasi, para se t’ia hidhnin telefonin, i riu kishte arritur të dërgonte një mesazh për ndihmë në polici. Edhe fqinjët kishin parë momentin kur ai po futej me forcë në automjet.
Pas kësaj, policia i ka identifikuar rrëmbyesit dhe i ka kontaktuar. Kur kanë kuptuar se ishin zbuluar, dy të akuzuarit e kanë dërguar të riun në stacionin policor në Negotinë.



