Në New York po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, me kërkesë të Serbisë, pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Në këtë seancë Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwartz, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ndërsa, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili në fjalimin e tij u lëshua në propagandë, duke akuzuar Kosovën se po i persekuton serbët.
Institucionet e përkohshme të Prishtinës kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët dhe bëjnë sulme sistematike ndaj serbëve dhe persekutimin e tyre. Mund të shkaktojnë dëme të pariparueshme deri në takimin e ardhshëm për raportimin e radhës së UNMIK-ut. Kemi kërkuar këtë takim për shkak të veprimit të Bankës së ashtuquajtur të Kosovës për ndalimin e dinarit. I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe dhe ka kulmuar pasi që mbijetimi i tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë. Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë”, tha ai.
Vuçiq foli edhe për aksionet e Policisë së Kosovës, dhe tha se kinse “grupet e armatosura” po i frikësojnë qytetarët serbë.
Ai vazhdoi propagandën, se kinse autoritetet e Kosovës kanë prekur pronat e serbëve.
Vuçiq tha se Kosova “po vazhdon sulmet sistematike mbi serbët’.
Presidenti serb përmendi edhe marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe akuzoi Kosovën se nuk po i zbaton ato.
“Nuk ka të bëjë me dialogun, por një bllokim i tillë çon në ngritjen e konflikteve”, tha ai.
Vuçiq e quajti Serbinë “shtet konsturktiv”.
Serbia e bëri kërkesën për këtë seancë pas vendimeve të autoriteteve kosovare për ndalimin e dinarit serb dhe mbylljen e komunave paralele serbe javët e fundit.