SPAK ka mbyllur hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, të cilët u ekzekutuan 15 vite më parë në dy atentate që ndodhën brenda 24 orëve.
Grupi i ekzkutorëve janë disa prej emrave më të njohur të botës së krimit në vend, si Emiljano Shullazi, Lul Berisha, Plaurent Dervishaj dhe të tjerë. SPAK ka hetuar ngjarjen duke u nisur nga dëshmia e një të burgosuri të quajtur Luftar Reçi, i cili është dëshmitari kyç për zbulimin e dy vrasjeve.
Çfarë ndodhi 17 vite më parë
Si pasojë e shpërthimit të telekomanduar të ashensorit të pallatit të tij në vitin 2005, mbeti i vrarë Vajdin Lamaj dhe miku i tij i fëmijërisë Dritan Arsi. Eksplozivi ishte vënë në ashensorin e pallatit, ku ndodhet edhe pasticeri “Venecia” dhe ku kishte shtëpinë Lamaj, prapa stadiumit “Qemal Stafa” sot “Air Albania Stadium”. Fill pas atentatit, policia deklaroi se Lamaj ishte ndjekur ditën e atentatit nga tre persona, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur. Sapo Lamaj dhe Arsi janë ngjitur në ashensor, ndërmjet katit të pestë dhe katit të gjashtë ka ndodhur shpërthimi i lëndës eksplozive, duke i lënë të dy të vdekur në vend. Sasia e lëndës plasëse ka qenë e madhe dhe bëhej fjalë për një eksploziv të cilësisë së lartë. Dy viktimat do të ngjiteshin në katin e tetë, ku kishte shtëpinë Lame. Ashensori në momentin e shpërthimit ka qenë në ngjitje dhe mendohet që shpërthimi të jetë realizuar me telekomandim nga distanca. Gjatë shpërthimit është shkatërruar totalisht ashensori, por nuk është dëmtuar asnjë nga katet e pallatit.
Kush ishte Vajdin Lamaj
Lamaj ishte një biznesmen i njohur në kryeqytet asokohe, kur mbante edhe postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Boksit, si dhe zv.President i Top Albania Radios, një media e themeluar nga i ndjeri Dritan Hoxha. Para se të ekzekutohej i kishte shpëtuar një tjetër atentati me armë në qendër të Tiranës, ku mbetën të plagosur lehtë dy persona. Në 15 tetor të vitit 2004 teksa po dilte nga një emision televiziv në Tv “Arbëria”.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr.252 të vitit 2020.
Në përfundim të hetimeve paraprake, janë marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim shtetasit:
1. Viktor Bajraktari (Imeraj), i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumenteve” në formën e përdorimit, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal si edhe të veprës penale të “Futja, mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 324/a/2 i Kodit Penal.
2. Emiljano Shullazi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/1, 334/2 të Kodit Penal.
3. Indrit Taulla, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
4. Lulzim Berisha, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 78/2, 76/22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
5. Plaurent Dervishaj, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
6. Indrit Rusi, i akuzuar se ka kryer veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
7. Luftar Reçi, i akuzuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/dh, 28/4, 333/a/2, 334/2 të Kodit Penal si dhe të “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78/2, 76-22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit Penal.
Hetimet vazhdojnë në një procedim penal të ndarë në ngarkim të bashkëpunëtorëve në kryerjen e veprave penale etj.



