Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka pritur sot në trafostacionin e Ohrit të ngarkuarën me detyrën e ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Warns, të cilës i ka prezantuar progresin e projektit për ndërlidhjen energjetike mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, transmeton Zyrtare.
Latifi thekson se projekti përmes linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan përbën një hap të rëndësishëm për sigurinë energjetike, rritjen e shkëmbimit ndërkufitar dhe integrimin rajonal.
Sipas tij, trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa ndërtimi i linjës së transmetimit po zhvillohet me ritëm të mirë dhe me progres të dukshëm në terren.
“Është një projekt që e kemi pritur për dekada”, ka shkruar Latifi në një postim në rrjetet sociale.
Ai bëri të ditur se MEPSO po planifikon gjithashtu ndërlidhje më të fuqishme energjetike me Kosovën dhe Bullgarinë, si dhe përmirësimin e ndërlidhjes me Greqinë.
“Sa më shumë të jemi të ndërlidhur, aq më të sigurt jemi. Sa më shumë të jemi të integruar në nivel rajonal, aq më të qëndrueshëm dhe më rezistentë jemi”, u shpreh Latifi.
Në fund, drejtori i MEPSO-s falënderoi Ambasadën e SHBA-së për partneritetin dhe mbështetjen në forcimin e bashkëpunimit dhe sigurisë energjetike në rajon./ZYRTARE.net/



