Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të vazhdojë masën e paraburgimit për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën edhe për dy muaj të tjerë, të tre të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të akuzuar për vrasjen e Ademaj, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili pagoi Kushtrim Kokallën për ta ekzekutuar dhe e inskenoi ngjarjen si grabitje.
Granit Plava, ka dëshmuar më herët për policinë se mori 15 mijë euro nga Naimi për t’i vrarë bashkëshorten, ndërsa pjesën tjetër do e merrte pas krimit.
Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granti Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen.
“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Në fillim, më 3 dhjetor 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar një masë paraburgimi prej 30 ditësh për tre të dyshuarit, e cila masë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Ende nuk janë zbuluar motivet e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze, bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë e tyre.