Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 3 dëshmitarët të vrasjes së 42 vjeçarit Egli Proga, krim i bërë nga Denis Meçe në datën 10 gusht në zonën e njohur si “Agjensia” në qytetin e Pogradecit.
Tre dëshmitarët, Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe ishin liruar më herët nga kjo gjykatë, por vetëm disa muaj pas ngjarjes, u bë ndryshimi masës së sigurisë nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “arrest në burg”.
Të tre akuzohen për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka arritur në përfundimin se ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit, pas më shumë se dy muajsh hetime për vdekjen e Egli Progës, për të cilën mbeten mister rrethanat se si ndodhi ngjarja.
42-vjeçari u dërgua pa shenja jete në spital, ndërsa nga ana e familjarëve të viktimës ka pasur akuza për tentativë të fshehjes së ngjarjes.
Gjithashtu në lidhje me vrasjen e Egli Progës, pati një përplasje publike të pazakontë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi kjo e fundit ndryshoi akuzën ndaj autorit të dyshuar Denis Meçe në “vrasje nga pakujdesia”.