Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj ndarjes së stipendioneve “Shpresë Sportive”, duke e cilësuar si shqetësuese përqindjen e ulët të sportistëve shqiptarë përfitues.
Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, nga gjithsej 506 sportistë që përfitojnë stipendione, 465 janë maqedonas, ose 91,90%, 38 janë shqiptarë, ose 7,51%, ndërsa tre janë boshnjakë, që përbëjnë 0,59%.
“Shifrat e Ministrisë së Sportit për ndarjen e stipendioneve ‘Shpresë Sportive’ flasin më qartë se çdo deklaratë për barazinë e kësaj Qeverie”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia opozitare vlerëson se disproporcioni kërkon përgjigje politike dhe institucionale, duke kërkuar nga Ministria e Sportit të bëjë transparente mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve.
“Nëse kriteret janë të njëjta për të gjithë, Ministria duhet të tregojë qartë si është bërë përzgjedhja, si janë vlerësuar aplikimet dhe mbi çfarë pikësh janë përzgjedhur sportistët”, thekson BDI.
BDI ngre gjithashtu pyetjen se si shpjegohet që vetëm 7,51 për qind e sportistëve përfitues janë shqiptarë, duke theksuar se kërkesa e saj nuk lidhet me privilegje mbi baza etnike.
“Këtu nuk bëhet fjalë për kërkesë për privilegje etnike. Bëhet fjalë për mundësi të barabarta, transparencë dhe njohje të meritës, pavarësisht përkatësisë”, thuhet në reagim.
BDI kritikon edhe partnerët shqiptarë në pushtet, duke akuzuar VLEN-in për heshtje përballë këtyre shifrave.
“Por ndërsa shifrat kërkojnë shpjegim, VLEN vazhdon të heshtë. Ata që premtuan barazi dhe përfaqësim të drejtë sot duhet t’u japin përgjigje sportistëve shqiptarë: a është kjo barazia që premtuat?”, thuhet më tej.
BDI kërkon publikimin e plotë të kritereve, pikëzimit dhe procesit të përzgjedhjes për stipendionet “Shpresë Sportive”.
“Sepse talenti nuk mund të jetë i padukshëm kur është shqiptar. Përjashtimi vazhdon. Mosnjohja vazhdon. VLEN vazhdon të heshtë!”, përfundon reagimi i BDI-së.




