Sot shënojmë 35-vjetorin e vendimit historik të qytetarëve maqedonas për një shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Shtetësia jonë nuk filloi në vitin 1991. Ajo u krijua ndër breza, përmes një vazhdimësie historike, politike dhe revolucionare: nga idealet e Ilindenit, përmes vendimeve të KAÇKM-së, me të cilat u hodhën themelet e shtetësisë maqedonase, deri te referendumi i 8 Shtatorit dhe vendimi për të vazhduar rrugën e pavarësisë.
Çdo brez e ka pasur rolin e vet historik.
Brezi i Ilindenit hodhi themelet e luftës për liri. Brezi i KAÇKM-së e realizoi këtë synim dhe themeloi shtetësinë maqedonase.
Brezi i vitit 1991 u angazhua për krijimin e një shteti të pavarur, duke zgjedhur paqen në një kohë luftërash, dhe nisi betejën e vështirë për njohjen ndërkombëtare.
Brezat pasues zgjidhën mosmarrëveshje të vështira dhe realizuan një nga synimet kryesore strategjike, të përcaktuara që nga pavarësia – anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ata hapën rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe garantuan gjuhën dhe identitetin maqedonas.
LSDM-ja është pjesë e kësaj vazhdimësie shtetformuese – pjesëmarrëse aktive në krijimin dhe zhvillimin e shtetit bashkëkohor maqedonas, në përpjekjet për arritjen e pavarësisë në mënyrë paqësore, njohjen ndërkombëtare, anëtarësimin në NATO dhe integrimin evropian.
Por sot, kur shënojmë 35 vjet pavarësi, para së gjithash duhet të shikojmë përpara – drejt viteve dhe dekadave që vijnë.
Paraardhësit tanë luftuan që ne ta kemi shtetin tonë. Brezi ynë ka për detyrë të luftojë që fëmijët tanë të duan të jetojnë në këtë shtet dhe ta ndërtojë Maqedoninë evropiane.
Sepse shteti është edhe jeta e përditshme e njerëzve, e fëmijëve dhe e nipërve tanë. Shteti nënkupton krijimin e mundësive që prindërit t’i mbajnë familjet e tyre me dinjitet, të rinjtë të krijojnë shtëpi, ndërsa të moshuarit të kenë një pleqëri të qetë dhe dinjitoze. Punëtorët duhet të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre, pa pasur frikë nëse paga do t’u mjaftojë deri në fund të muajit.
Ta ndërtojmë një shtet evropian dhe të fuqishëm ekonomikisht, me standard më të mirë jetese, ku shkollat do të mbushen me fëmijë në vend që të zbrazen dhe ku të rinjtë do t’i shohin ëndrrat dhe të ardhmen e tyre këtu, në atdhe.
Ta ndërtojmë një shtet evropian me një sistem funksional dhe drejtësi që zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Ta ndërtojmë një Maqedoni evropiane, ku të rinjtë do të mund të krijojnë shtëpi dhe familje, të kenë punë dinjitoze, të arrijnë sukses përmes dijes dhe punës, si dhe t’i kenë mundësitë evropiane në vendin e tyre.
Kjo është detyra e brezit tonë. Ta vazhdojmë vijën shtetformuese maqedonase – me unitet, dinjitet dhe një vizion të qartë për të ardhmen në Evropë.
Sepse Maqedonia është gjithçka që kemi.
Urime dhe qoftë i përjetshëm 8 Shtatori – Dita e Pavarësisë! / Aktuale.mk




