Në zgjedhjet e shtata me radhë, përveç të burgosurve, ndër të parët që votuan ishin të sëmurët, të infektuarit me kovid 19, si dhe ata që janë në izolim për shkak të kontaktit me person të infektuar me koronavirus. Anëtarët e këshillave zgjedhor dolën në terren, për të mundësuar që njerëzit e sëmurë dhe të plogësht ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar nga shtëpia.
Anëtarët e këshillit zgjedhor sot kishin për detyrë të vizitonin 7,921 persona në të gjithë vendin të cilët janë të sëmurë dhe të pafuqishëm. Ndërsa mjekët, që janë një komision zgjedhor special për pacientët me kovid, vizituan 476 pacientë të infektuar në shtëpi, që ata ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në komunën e Çairit, sot votuan 21 persona të pafuqishëm, si dhe nëntë të infektuar, ose të izoluar për shkak të Kovid -19.
“Për Kovid kemi komision të veçantë të personelit shëndetësor të caktuar nga KSHZ-ja. Ata shkojnë me të gjitha pajisjet mbrojtëse, dhe i kërkojnë dokumentet e nevojshme në aplikacionin e bërë për Kovid”, tha Lulzim Ismaili, Kryetar i KZK Çair.
Për qytetarët e sëmurë dhe të pafuqishëm, anëtarët e këshillit zgjedhor dolën në terren nga vetë vendvotimi ku janë regjistruar këta persona.
“Protokollet respektohen maksimalisht. Kemi dokumentacion të plotë se si të sillemi rreth atyre qytetarëve… Tre prej nesh do të jenë anëtarë të këshillit zgjedhor dhe votimi do të jetë në shtëpinë e tij”, Tomisllav Stamboliq, Nënkryetar i KZ.
Sot, nuk u përdorën pajisjet e identifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, as te të sëmurët. Ato do të jenë në funksion zyrtar nga nesër. Votimi i sotëm u zhvillua sipas sistemit të vjetër, me një llambë UV dhe identifikim personal. Sot, votuan 351 persona të vendosur në shtëpitë e pleqve.