Kryeministri Hristijan Mickoski e ka cilësuar sulm hibrid përhapjen e dezinformatave javën e kaluarn se uji në Shkup nuk është i sigurt për pije. Sipas tij, sulmi ishte një tentim për të shkaktuar shqetësim dhe pasiguri në mesin e qytetarëve. Mickoski madje ka akuzuar partitë opozitare se qëndrojnë pas qendrave që krijojnë histeri në rrjetet sociale. Ai tha se, për këtë rast janë marrë në pyetje më shumë se 10 persona nga ana e MPB-së.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Shpresoj që me ndryshimet e reja në Kodin Penal të ketë edhe dispozita ndëshkuese për persona të tillë, të cilët me vetëdije krijojnë histeri, përkatësisht kryejnë një lloj sulmi hibrid, duke krijuar ndjenjë shqetësimi dhe frike te qytetarët. Por, ajo që më shqetëson veçanërisht është se mendoj se këtu ka edhe përpjekje të tjera, më shumë komerciale, sepse brenda një dite, papritur, një pjesë e madhe e marketeve i zbrazën rezervat dhe sasitë e ujit të ambalazhuar”.
Ndërkaq, i pyetur mbi akuzat e LSDM-së se Mickoski dhe ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski janë fajtorë për ndotjen e ujit të pijshëm në Gostivar, kryeministri tha se, funksionimi i sistemit të furnizimit me ujë në Gostivar është nën përgjegjësinë e ndërmarrjes publike lokale, ndërsa rikujtoi se, kryetari i komunës së Gostivarit është përkrahur nga LSDM-ja në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV-së
“Ne kemi dhënë maksimumin që gjendja të normalizohet si asnjëherë më parë. Përkatësisht, për më pak se katër javë, është pastruar tërësisht sistemi si asnjëherë deri më tani. Sepse, siç jam i informuar, Prokuroria dhe MPB veç më po hetojnë se pse në të kaluarën, edhe pse ka pasur raporte për cilësinë e ujit në Gostivar që nuk ka qenë adekuat sipas rregullore, nuk është ndërmarrë asgjë nga ministrat e mëparshëm. Vlerësoj se opozita duhet të fokusohet më shumë te kjo, të japin përgjigje, sepse një pjesë e atyre ministrave janë nga radhët e tyre”.
Kujtojmë, se pas rreth një muaje ndalese, uji në Gostivar u shpall të premten i sigurt për pije. Uji në Gostivar ishte i ndaluar për pije që nga 17 korriku, pasi institucionet konstatuan se pompat kishin futur ujë të ndotur me fekale në ujësjellësin e qytetit. Mbi 5.000 qytetarë u infektuan, ndërsa më 19 korrik u shpall epidemi.
Teuta Buçi /SHENJA/
MARKETING


