Shënohet përparim i butë në bisedimet partiake që sot u mbajtën në Përzhino, por edhe më tej marrëveshja përfundimtare ende duket e largët. Partitë janë optimiste, por nuk mund të precizojnë se kur mund të pritet një zgjidhje përfundimtare. VMRO-DPMNE njoftoi se ka pranuar kërkesat e LSDM-së për pastrimin e listës së votuesve edhe pse si parti nuk pajtohen me ato kushte.
“Për VMRO-DPMNE nuk është problematike të pranohet kjo kërkesë e LSDM e cila është siç e thashë e panevojshme, që të shënohen me yll 170 mijë votuesit nga diaspora dhe për këto 390502 siç konstatoi KSHZ të publikohen dhe kush nuk dot ë paraqitet në kontroll të mos përfshihet në listën e votuesve. KSHZ ka dilemma serioze për këtë sepse bëhet fjalë për fshierjen e votuesve dhe marrjen e të drejtës së votës, por siç thash do ta pranojmë për të dëshmuar se LSDM e ka gënjyer gjithë opinionin vendor dhe atë ndërkombëtarë lidhur me listën e votuesve dhe se kjo ka qenë vetëm një alibi e shpikur nga LSDM”, ka deklaruar Nikolla Todorov, VMRO-DPMNE.
Por, i pyetur nga gazetarët nëse kjo nënkupton se për listën e votuesve ka marrëveshje përfundimtare, Todorov nuk dha përgjigje të prerë ashtu siç nuk deshi të komentojë edhe pyetjen nëse dy partitë shqiptare kanë dhënë pëlqimin e tyre për këtë metodologji të pastrimit të listës së votuesve. Por, siç duket kjo marrëveshje tani kundërshtohet nga partneri shqiptar i koalicionit qeverisës, Bashkimi Demokratik për Integrim. Artan Grubi nga BDI tha se nuk janë kundër fshirjes së qytetarëve me të drejtë vote nga lista e votuesve.
“Nuk ka ndonjë marrëveshje, bisedimet do të vazhdojnë dhe shpresoj që të gjitha palët do të kenë një qasje konstruktive siç kemi ne në arritjen e një zgjidhje përfundimtare për këtë krizë politike”, ka deklaruar Artan Grubi, BDI.
Ndërkaq, për temën e dytë, reformën në media dy partitë më të mëdha në vend, VMRO-DPMNE dhe LSDM duket që janë ende në qëndrime të kundërta. Nga VMRO thanë se kanë kërkuar heqjen e dënimeve për gazetarët dhe mediat për mendim të shprehur dhe kronikat e publikuara.
“Në pjesën e mediave, VMRO-DPMNE angazhohet që asnjë medium dhe gazetarë të mos dënohet për shprehjen e mendimit ose për kronikë të përgatitur. Mendoj se kjo është pozicion fer dhe demokratik. Mediumet të mos mund të bëhen mjet keqpërdorimi dhe censure nga asnjë palë. Formimi I një trupi cenzurues që do të vlerësojë nëse një kronikë është në rregull ose jo, për ne është e papranueshme”, ka thënë Todorov, VMRO-DPMNE.
Por, nga LSDM-ja opozitare kanë mohuar arritjen e ndonjë progresi në bisedimet e sotme.
“Koalicioni qeverisës nuk lejojnë pastrimin e Listës Zgjedhore dhe reformat ë vërteta në media. VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski në vazhdimësi ikin nga zgjedhje të drejta dhe demokratike”, thuhet në njoftimin e shkurt të LSDM-së
Ambasadorët e SHBA-ve, dhe BE-së Xhes Bejli dhe AivoOrav nuk deshën të komentojnë rrjedhën e sotme të bisedimeve të cilat pritet të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.
Arben Zeqiri /SHENJA/
VMRO pranon kushtet e LSDM-së për Listën Zgjedhore by tvshenjaofficial